Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka bërë thirrje ndaj liderëve të pozitës dhe të opozitës një ditë para se të bëhet zgjedhja e presidentit të vendit, njofton Klan Kosova.
Pacolli ka kërkuar nga Thaçi që të tërhiqet nga kandidatura për president, Mustafës i ka kërkuar që të shkojë të presidentja Jahjaga për të caktuar datën e zgjedhjeve të ardhshme.
E nga liderët opozitar Ymeri, Haradinaj e Limaj ka kërkuar që nëse Mustafa e Thaçi të vepronin kështu të distancohet nga dhuna.
Ky është postimi i plotë i Pacollit:
“Po frigohem shumë që po eskalon situata dhe qytetarët janë ata që do të paguajnë. Nëse jeni burra, nëse e doni Kosovën dhe popullin e saj, veproni;
- A) Hashim, tërhiqu sonte nga kandidatura dhe jepi shanse proceseve demokratike, që presidenti të zgjidhet nga qytetarët. Këtë veprim tëndin nuk do ta harrojë historia.
- B) Isë, kontaktoje presidenten dhe akordohu për zgjedhjet e parakohshme. Atë minimale që ka mbetur ende, mundesh me e kthy në favor tëndin dhe të LDK-së.
- C) Albin, Ramush e Fatmir; nëse Hashimi dhe Isa veprojnë, si më lart, ju lutem të respektoni veprimin e tyre dhe distancohuni nga çdo lloj dhune.
Kjo është zgjidhja civilizuese që meriton Kosova tani. Kjo zgjidhje do të mbështetet nga miqtë tanë perëndimorë”.


