Pas gafës së turpshme të Arkadiusz Milikut, Ivan Rakitici i Barcelonës e shënoi një vollej të pandalshëm në minutën e 79-të të ndeshjes të së mërkurës.
Ivan Rakitici e shënoi golin e fitores për kampionen e La Ligës, Barcelonën, në ndeshjen miqësore kundër Napolit, e cila përfundoi me rezultat 2:1 për katalonasit. Kjo ishte e para nga dy ndeshjet miqësore mes këtyre dy skuadrave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Gazeta Express.
Pas rastit të humbur në mënyrë turpëruese nga Arkadiusz Milik për Napolin, mesfushori i Barcelonës, Rakitic, e shënoi një supergol për t’ia dhënë fitoren skuadrës së tij në stadiumin “Miami Gardens”.
Barcelona – e cila do të përballet edhe në shtunën me Napolin, këtë herë në Michigan – kaloi fillimisht në epërsi përmes Sergio Busquets, mirëpo, tre minuta para fundit të ndeshjes, rezultati u barazua për shkak të autogolit të Samuel Umtitit.
Barcelona luajti pa Lionel Messin për shkak të një lëndimi të argjentinasit, mirëpo Antoine Griezmann, Luis Suarez, Rakitic, Umtit dhe Busquets ishin në formacionin e parë, përderisa Junior Firpe – i cili u transferua nga Real Betisi këtë javë – e bëri debutimin e tij.
Në formacionin e parë të Napolit ishin Lorenzo Insigne, Dries Mertens dhe Jose Callejon, si dhe të rinjtë në skuadër, Kostas Manolas e Eljif Elmas. Këta lojtarë fillimisht i krijuan shumë probleme skuadrës së Ernesto Valverde, mirëpo Barcelona ishte me fat dhe nuk pranoi gol.
Përkundër që kishin qenë skuadra më e mirë në fushë gjatë pjesës së parë, Napoli e pësoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 38-të. Mirëpo, epërsia prej një goli nuk i zgjati Barcelonës, që e barazoi rezultatin përmes një autogoli.
Pasi Barcelona kishte shfaqur vështirësi në fazën e mbrojtjes në pjesën e parë, në pjesën e dytë këtë gjë e bëri Napoli. Gabimet ishin të shpeshta në skuadrën e Barcelonës dhe Ousmane Dembele kishte qenë shumë afër golit, me 22 minuta të mbetura.
Në anën tjetër, Napoli e humbi një mundësi të artë për të kaluar në epërsi dhe për ta fituar ndeshjen, pasi që Miliku e goditi me gjoks topin, i cili shkoi mbi portën e hapur. Miliku u ndëshkua për këtë gabim disa minuta më vonë, kur Rakitic e shënoi një supergol. /Gazeta Express/


