Banorët e Mleqanit të Malishevës protestojnë kundër rasteve të vjedhjeve, vjen reagimi i policisë

PUBLIKUAR

Rreth 60 banorë të Mleqanit të Malishevës protestuan sot për afro gjysmë ore në shenjë pakënaqësie në lidhje me rastet e vjedhjeve që kanë ndodhur në këtë fshat.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se protesta ishte e lajmëruar paraprakisht dhe se ajo përfundoi e qetë.

Në një njoftim për media thuhet se nga fillimi i vitit e deri më 7 tetor 2021, nga banorë të fshatit Mleqan janë raportuar shtatë raste vjedhje në objekte banimi. Tri nga shtatë rastet e raportuara janë zbuluar, të dyshuarit janë arrestuar dhe lëndët e kompletuara janë dërguar në prokurori. Në dy raste tjera kryerësit e mundshëm janë identifikuar, por aktualisht janë në arrati, ndërsa dy raste tjera mbeten ende nën hetim.

Referuar rasteve të vjedhjeve dhe po ashtu kërkesës së banorëve të Mleqanit, Stacioni Policor në Malishevë ka rritur numrin e patrullimeve, prezencën policore, aktivitetet parandaluese dhe ato të hetuesisë si dhe bashkëpunimin me qytetarë të kësaj zone.

“Ne e kuptojmë frustrimin e individëve të caktuar nga incidentet e tilla, por njëkohësisht i sigurojmë banorët e fshatit Mleqan dhe të gjithë zonës, se Policia e Kosovës do të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për parandalimin e veprave penale, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar dhe vënien e tyre para organeve të drejtësisë. Ne apelojmë te banorët e fshatit Mleqan dhe vendbanimeve tjera që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për cilindo rast apo persona të dyshuar”, përfundon komunikata e Policisë.

SHIKO MË SHUMË

Moti sot me vranësira dhe reshje shiu, në zonat malore pritet edhe borë

Moti në Kosovë gjatë ditës së sotme pritet të jetë kryesisht i vranët dhe...

Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të hënën,...

Hidhet koktej molotovi në një auto-sallon në Graçanicë, autorët largohen me motoçikletë

Një auto-sallon në Graçanicë ka qenë cak i një sulmi me koktej molotovi gjatë...