Qytetarët e Drenasit e dëshirojnë ndryshimin rrënjësor.
Kështu ka thanë kryetari i Mitrovicës, njëherit anëtar i AKR-së, Agim Bahtiri, në emisionin Rrokum Roll të Televizionit Rrokum, duke komentuar fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit.
“Me kryetarin Pacolli jemi dakorduar që me shkri kapitalin në Drenicë, sepse ai vend e meriton për atë çka i ka dhënë Kosovës”, ka deklaruar Bahtiri.
Bahtiri u është kundërpërgjigjur akuzave se Pacolli po ndërton fabrika në Drenas vetëm për shkak të fushatës zgjedhore.
“Është e pamundur me qenë e vërtetë kjo, sepse kemi të bëjmë me një njeri që e njeh tërë bota dhe qe ka një kapital më të madh se buxheti i Kosovës”, ka thënë ai.
Duke folur për zgjedhjet në Drenas, Bahtiri ka thënë se është i bindur se AKR do të shkojë në balotazh, ndërsa ka bërë të ditur se gjatë balotazhit do të ketë marrëveshje edhe me partitë tjera.
“Unë kur kam thanë diçka, ajo është realizue”, theksoi Bahtiri, duke këmbëngulur se ndryshimi ka me ndodhë në Drenas.
Bahtiri ka thënë se kryetari i ardhshëm ka me qenë nga AKR, duke shtuar se “Drenasin kemi me fitu për 5 dite”.
Duke folur për bashkëpunimet me partitë tjera, Bahtiri ka thënë se AKR ka vijë të kuqe veç me PDK-në.
“Mitrovica kurrë në jetë s’ka me qenë e PDK-së më”, ka deklaruar Bahtiri.


