Pierre-Emerick Aubameyang i ka falënderuar tifozët e Arsenalit për mbështetjen, në një shkrim të lamtumirës në rrjetet sociale, pasi u largua nga Arsenali me pajtim dypalësh, për t’iu bashkuar Barcelonës si lojtar i lirë.
Aubameyang iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë të hënën në mbrëmje, pasi e shkëputi marrëveshjen me Arsenalin para kohës, raporton Gazeta Express.
Ai madje u stërvit me skuadrën e Xavit të martën, megjithëse Barcelona ende nuk ka arritur ta regjistrojë atë zyrtarisht si lojtar të vetin.
Sulmuesi i Gabonit i shënoi 92 gola në 163 paraqitje për Arsenalin, por ai nuk luajti për topçinjtë më nga dhjetori kur e humbi shiritin e kapitenit të skuadrës dhe u përjashtua nga trajneri Mikel Arteta për shkelje të rregullave disiplinore.
“Tifozë të Arsenalit, faleminderit që e bëtë Londrën shtëpi për mua dhe për familjen time në katër vitet e fundit”, tha Aubameyang në një shkrim në rrjetet sociale.
“Kaluam nëpër kohë të vështira dhe të mira së bashku dhe përkrahja juaj ishte gjithçka për mua. Mundësia për të fituar trofe dhe nderi i të qenit kapiten i këtij klubi është diçka që do ta mbaj në zemër përgjithmonë”, nënvizoi ai.
Ai shtoi: “Gjithmonë kam qenë 100% i përqendruar dhe i përkushtuar për të bërë gjithçka që mundem për këtë klub, prandaj më dhemb që po largohem pa një lamtumirë të mirë, por ky është futbolli”. /Gazeta Express/


