ASK: Hoti kontestoi të dhënat e veta

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Një polic lëndohet gjatë intervenimit në një rrahje mes disa personave në Prishtinë

Të shtunën në Prishtinë, një polic i Kosovës ka pësuar lëndime pas intervenimit në...

Nderohet dëshmori Shaqir Hoxha

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë gjatë ditës së...

Kosova mund të mos i ketë 1.8 milionë banorë. As 32.9 për qind të qytetarëve të papunë, siç i ka nxjerrë rezultatet Agjencia e Statistikave të Kosovës. Të dhënave të Institucionit të vetëm shtetëror, i cili merret me grumbullimin, përpunimin dhe publikimin zyrtar të statistikave nuk po i beson as vet Qeveria e Kosovës, e cila të gjitha planifikimet e deritashme i ka bazuar në to.

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, të hënën e ka quajtur jo profesionale këtë institucion, duke iu referuar raportit të fundit të ASK-së lidhur me ndikimin e përshkallëzimit të TVSh-së, raporton Gazeta Fjala.

Para tij, edhe njohësit e ekonomisë kanë shprehur rezerva në të dhënat e publikuara nga Statistikat. Ata dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kanë kontestuar, sidomos të dhënat e punësimit dhe matjen e indikatorëve ekonomik.

Në faqen zyrtare të kësaj agjencie, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, shpesh mbesin të dhëna të pa përditësuara ndërkohë që besueshmëria dhe cilësia e tyre janë larg nivelit të standardeve evropiane dhe kanë nevojë për përmirësim.

Ekonomia e bazuar në të dhënat të pabesueshme

Këtë e ka konfirmuar edhe ministri Hoti në shkrimin e tij në llogarinë e tij në Facebook. “Agjencia e Statistikave të Kosovës lë shumë për të dëshiruar”, ka shkruar Hoti duke sqaruar të dhënat të cilat i konteston.
Sipas tij, në vitin 2015, kanë ndërruar trendin shumica e indikatorëve ekonomik, nga negativë në pozitivë. Ai thotë se rritja e të hyrave tatimore për vitin 2015 ka qenë rreth 10 për qind më e lartë se vitin paraprak. “Kjo rritje ka ardhur nga luftimi i informalitetit dhe rritja ekonomike që ka qenë rreth 3.6 për qind, apo trefish më e lartë se në vitin 2014. Politikat fiskale, përfshirë ndryshimin e normës së TVSh-së, kanë hyrë në fuqi në shtator të vitit 2015”.

Ministri pyet: “Si ka mundësi që për tre muaj të mblidhen kaq shumë të hyra nga rritja e normës së TVSH-së, siç pretendon Agjencioni i Statistikave?”.

Sipas të parit të financave të Kosovës rritja e të hyrave nuk ka qenë vetëm në muajt e fundit të vitit 2015, kur pakoja fiskale ka hyrë në fuqi, nga janari.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në një përgjigje dhënë për Gazetën Fjala thotë se të dhënat që i konteston ministri kanë pasur si burim vetëm Ministrinë e Financave të cilën e drejton Hoti. “Siç është cekur edhe në publikim, burimi i të dhënave për publikimin vjetor “Llogaritë Qeveritare të Kosovës 2008 – 2015” është nga Ministria e Financave (Departamenti i Thesarit). Shifrat tona janë kontrolluar disa herë me zyrtarët e Ministrisë së Financave (Departamenti i Thesarit) dhe janë konsistente me to”, thonë në ASK.
Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka publikuar “Llogaritë Qeveritare të Kosovës 2008-2015” më 10 qershor 2016, ku të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2015 ishin 1,706.1 milionë euro, dhe krahasuar me të hyrat e vitit të kaluar ka pasur një rritje prej 26.4% të të hyrave.

Ndërkaq sipas ASK-së, totali i shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2015 ishte 1,612.3 milionë euro. “Në publikim askund nuk është cekur në bazat tremujore, as mujore dhe as shkalla e TVSH-së”.
Nga ana tjetër edhe kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, pati deklaruara se në ekonominë moderne është e pamundur të arrihet progres nëse hulumtimet dhe projektet nuk bazohen në të dhëna të sakta. “Në këtë drejtim, Kosova është duke paguar një çmim shumë të shtrenjtë, pasi statistikat në Kosovë janë të vjetra dhe nuk kanë një hulumtim empirik që mund të jetë i një shkalle të lartë të besueshmërisë”, pati thënë Gërxhaliu.

Së fundmi, ekspertët e çështjeve ekonomike i kundërshtuan shifrat e papunësisë së prezantuara nga Agjencia e Statistikave, pasi sipas tyre ato nuk pasqyrojnë gjendjen reale në vend.

Në anketën e fundit të fuqisë punëtore thuhet se zyrtarisht 32.9 për qind e qytetarëve janë të papunë nga 35.3 për qind sa ishin një vit më parë.

Ndërkohë që papunësi ka shënuar rënie bazuar në të dhënat e ASK, numri i qytetarëve “jo të aftë” për punë del të jetë rritur.

Sipas njohësve të ekonomisë, ASK po mashtron me shifra duke i hequr mbi 48 mijë qytetarë nga tregu i punës për të zvogëluar shkallën e atyre që kërkojnë punë.

Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit “Riinvest” vlerëson se numrat final të papunësisë të prezantuar nga ASK nuk paraqesin gjendje reale të të papunëve. “Vetëm pse një kalkulim i trajton si joaktiv mbi 62.4% të popullsisë, nuk do të thotë se të njëjtit janë të tillë. Pra problemet sociale të papunësisë janë shumë më të rënda se çfarë është paraqitur në këto kalkulime”, tha Abdixhiku për Gazetën Fjala.

Ai porositë që secila qeveri e secila politikë ekonomike t`i marrë parasysh këto fakte “në të kundërtën operon me numra të pasaktë”.

Njëjtë e pati kontestuar besueshmërinë në të dhënat e ASK-së edhe Berat Thaçi nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP. “Ka pasur raste kur janë kontestuar të dhënat e ASK-së, sidomos sa i përket të dhënave të çështjes së punësimit, mirëpo nuk ka pasur ndonjë auditim më serioz apo ndonjë verifikim të metodologjisë apo mbledhjes së të dhënave”.

Ai thotë se kjo agjenci ka nevojë për trajnime shtesë të kapaciteteve njerëzore. “Kjo është një çështje shumë serioze, por në Kosovë nuk kemi e të rregulluar që ndonjë kompani audituese që të auditojë edhe cilësinë e mbledhjes së të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës”, ka thënë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, misioni i sistemit të statistikave është që të përmbushë kërkesat e përdoruesve me të dhëna statistikore cilësore, të besueshme dhe objektive. Këto të dhëna, vihen në dispozicion në kohën e duhur dhe paraqiten në mënyrë që lehtësojnë përpjekjet planifikuese dhe zhvillimore në nivel vendi./Gazeta Fjala

SHIKO MË SHUMË

Një polic lëndohet gjatë intervenimit në një rrahje mes disa personave në Prishtinë

Të shtunën në Prishtinë, një polic i Kosovës ka pësuar lëndime pas intervenimit në...

Kishte 487 kg duhan kontrabandë, një person ik në drejtim të Maqedonisë së Veriut kur sheh policinë

Policia kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dje në fshatin Krivenik...

Sot diell dhe vranët, nga e diela stabilizim i motit – temperaturat deri në 24 gradë

Për të premten në Kosovë parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa...