Dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, nga Divizioni për Lojëra të Fatit, janë arrestuar nga Policia e Kosovës, gjatë aksionit të bastisjeve, gjatë ditës së sotme, raporton Gazeta Express.
Për arrestimin kanë treguar burimet e Gazetës Express, derisa nuk është arritur të konfirmohet nga Polica e Kosovës.
“Deri më tani mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion të gjerë policor. Me qellim te mosdëmtimit të hetimeve dhe realizimit të këtij operacioni nuk mund të japim më shumë informacione. Pas përfundimit do të dalim me informacione të plota”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PK’së.
Aksioni është ndërmarrë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomik dhe ndërlidhet me disa hetime për dallavere dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga disa punonjës të Divizionit të Lojërave të Fatit në ATK. Si rrjedhojë, janë marrë në pyetje edhe disa inspektorë të këtij institucioni.
Bastisjet i ka konfirmuar për Gazeten Express, kreu i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, i cili tha se policia gjatë ditës së sotme e ka vizituar institucionin që ai drejton.
Nga ana tjetër, burime të gazetës tregojnë se aksioni i ngjashëm pritet të vazhdojë edhe nesër.


