Numri dy i Qeverisë, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel ku do të takohet me zyrtarë të tri institucioneve të Bashkimi Evropian, Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit, shkruan Gazeta Express.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar Zyra për Media e kryeministrisë duke treguar se kjo vizitë do të jetë për të informuar dhe për t’u koordinuar me partnerë evropianë rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, udhëton për në Bruksel, ku do të zhvillojë takime me funksionarë e zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian”, thuhet në njoftim.
“Kjo vizitë, do të shërbejë për informimin dhe koordinimin me partnerët tanë evropianë, në tre institucionet kryesore të BE-së, sa i përket aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, përfundon njoftimi i ZKM-së./Express/


