Sulmuesi uellsian Gareth Bale ka thënë se është i hapur të kthehet në Premierligë, por Real Madridi po ia bën shumë të vështirë largimin nga klubi.
I zemëruar me mungesën e mundësive për të luajtur, Bale ishte shumë afër kalimin në një klub kinez vitin e kaluar, por Reali e parandaloi largimin e tij në çastet e fundit, transmeton Gazeta Express.
Klubet e tjera janë të interesuara ta blejnë 31-vjeçarin, por menaxheri i tij ka thënë në të kaluarën se Bale nuk do të shkojë askund.
“Tentova të largohem vitin e kaluar por ata (Real Madridi) bllokuan gjithçka në çastin e fundit. Ishte një projekt i cili më ngazëlleu vitin e kaluar, por nuk u realizua. Ka pasur edhe raste të tjera por klubi nuk po lejon, pra është në dorën e klubit”, tha Bale për Sky Sports.
“Unë dua të luaj futboll, jam ende i motivuar për të luajtur futboll”, shtoi ai.
I pyetur nëse do t’i pëlqente të kthehej në Premierligë, ish-asi i Tottenhami tha: “Nuk është në dorën time vërtet. Nëse më vjen kjo mundësi, atëherë do ta shikoj patjetër”.


