Ish-shefi i misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadori William Walker, thotë se titulli “Doctor Honoris Causa” i marrë sot nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë është një çmim shumë i rëndësishëm në mesin e çmimeve që ka marrë deri tash në jetë.
Walker, gjatë fjalës së tij, i falënderoi të gjithë të pranishmit për nderin e madh që i kanë bërë me këtë titull, njofton Klankosova.tv.
“Jam i pafjalë për të gjithë folësit, ka shumë njerëz që kanë ardhur dhe ju falënderoj të gjithëve”.
“Dua të falënderojë universitetin “Haxhi Zeka” dhe të gjithë ju të pranishmit që më bëtë nder kaq të madh dhe më dhëtë një titull kaq të rëndësishëm. Është kënaqësi për mua që të udhëtoj dhe të marrë këtë cmim në prani të një audience kaq të madhe” tha Walker.
Kujtojmë se Walker kishte vizituar Reçakun, më 16 janar 1999, një ditë pas masakrës makabre serbe në popullatën civile shqiptare dhe raportimi i tij sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë gjë që i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s.
Edhe në këtë ceremoni, Walker foli për tmerrin që kishte përjetuar gjatë 8 muajve qëndrimi në Kosovë teksa kryesonte komisionin vëzhgues të OSBE-së.
“Kemi kaluar tetë muaj duke u marrë me botën e vërtetë, me një botë brutale me krime kundër njerëzimit, me kampe refugjatësh dhe kjo për mua përbën realitetin që jo vetëm populli i Kosovës më 1999 e kanë përjetuar por ende shumë njerëz janë duke e përjetuar edhe tani”, tha ai.
Walker po ashtu përmendi periudhen e pandemisë me COVID-19, ku fatkeqësisht siç tha ai për tri vite radhazi nuk ka arritur t’i vizitojë qytetarët e Reçakut.
“Fatkeqësisht në vitet 2020, 2021 dhe 2022 s’kam arritur t’i vizitojë qytetarët e Reçakut, kjo për shkak se nuk ndihesha mirë, dhe kam mbetur në shtëpinë time, shkak COVID-19. Jam shkëputur pak nga Kosova këto vite”.


