Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka përshëndetur marrëveshjen për rrënimin e murit në veriun e Mitrovicës.
Kjo Ambasadë përmes një deklarate për media ka theksuar se e mirëpret marrëveshjen e arritur në mes të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shalës, dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore Rakiq për rrënimin e murit.
Ambasada e SHBA-ve thekson se në pjesën veriore të Mitrovicës aty ku ishte muri do të shndërrohet një zonë e bukur për këmbësorë. Plan ky i hartuar qysh në vitin 2015 me lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Deklarata e plotë e Ambasadës amerikane:
PRISHTINË – Ambasada e SHBA-ve mirëpret marrëveshjen e 4 shkurtit të arritur mes Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shalës, dhe Kryetarit të Mitrovicës Veriore Rakiq lidhur me planin urban të reviduar për shndërrimin e Rrugës “Mbreti Pjetër” në zonë për këmbësorë.
Ne përshëndesim kuvendin komunal të Mitrovicës Veriore për aprovim të shpejtë të planit të ri. Marrëveshja e arritur do të rezultojë me ndërtimin e një zone të bukur për këmbësorë që përmbushë marrëveshjen e 2015-ës për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës. Shumë mund të arrihet kur të gjitha palët bashkohen për të punuar për të mirën e përbashkët./GazetaExpress/


