Agjencia Kosovare e Privatizimit reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, të dhëna pas kthimit të ndërmarrjes MIM Goleshi, nën administrim të AKP-se.
Agjencia Kosovare e Privatizimit reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, të dhëna dje pas kthimit të ndërmarrjes MIM Goleshi, nën administrim të AKP-së. Blerësi i ndërmarrjes në fjalë nuk i ka përmbushur zotimet për investime e as për numër të punëtorëve, thotë AKP-ja.
Agjencia Kosovare e Privatizimit i vlerëson deklaratat e kreut të AKB-së, Agim Shahini si të njëanshme, të pabaza dhe që dezinformojnë opinionin publik në dëm të imazhit të AKP-së.
Është e habitshme për AKP-në se si kryetari i AKB-së, Shahini, del në mbrojtje të ish blerësit të Ndërmarrjes ‘Miniera & Industria e Magnezitit Golesh’, i cili e ka shkelur kontratën e shitblerjes, ndërsa akuzon AKP-në që ka vepruar në përputhje me obligimet ligjore.
‘MIM Goleshi’ ishte privatizuar përmes metodës Spin-off special në fund të vitit 2007 me çmim mbi 800 mijë euro si dhe me obligim për investime prej mbi 16 milionë euro gjatë periudhës dy vjeçare.
Blerësi është zotuar se do t’i punësojë 40 vetë në gjashtë muajt e parë, afro 180 në fund të gjashtë muajve, 355 deri në fund të vitit të parë dhe 355 punëmarrës të mbahen edhe për një vit.
Mbi këtë bazë edhe ishte shpallur fitues i përkohshëm i ndërmarrjes, thuhet në një komunikatë nga AKP.
Agjencia ka bërë dy auditime në këtë ndërmarrje.
Nga auditimi i parë për periudhën 2 vjeçare ka rezultuar se ish blerësi ka realizuar vetëm 0.7 % të investimeve. Ndërsa ka përmbushur punësim vetëm 21%.
Auditimi i dytë për periudhën pesë vjeçare ka nxjerrë këto rezultate: nga mbi 16 milionë euro investime të zotuara, ish blerësi ka prezantuar investime në afro 7 milionë euro, apo 41 %. Në realitet, investime të dëshmuara me pagesë janë në vlerë prej 330 mijë euro, apo vetëm 2%. Ndërkaq zotimi për punësim është përmbushur vetëm 13%.
Ndërmarrja ‘Miniera&Industria e Magnezitit Golesh’ tani është nën administrim të Agjencisë, ndërkaq në afatin sa më të shpejtë do të shqyrtohet mundësia e funksionalizimit të saj. AKP siguron opinionin se do të veprojë konform obligimeve ligjore, ndërkaq kërkon nga AKB-ja që nëse nuk ka vullnet për të ndihmuar procesin, së paku të mos del pengesë duke u rreshtuar në anën e shkelësve të kontratave të shitblerjes. /rtk/