Jorge Mendes, agjenti i Cristiano Ronaldos, ka zbuluar se superylli portugez kishte dashur të luajë për Juventus qysh nga janari i këtij viti.
Ronaldo përfundimisht iu bashkua bardhezinjve për rreth 100 milionë euro nga Real Madridi verën që lamë pas, duke u bërë lojtari më i paguar në Serie A, transmeton Gazeta Express.
“Cristiano është më i miri në histori”, tha Mendes.
“Meritat për këtë marrëveshje nuk më takojnë mua, por Juves dhe [presidentit Andrea] Agnellit, i cili vendosi ta transferojë Cristianon”, shtoi ai.
“Juven e deshi dhe e bleu atë, në fakt ai më pati thënë në janar se dëshironte të luante për Juventusin, kjo është e vërteta. Mendoja se ishte e pamundur, por unë i thashë se do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur”, zbuloi Mendes.
Mendes shtoi më tej se negociatat për kompletimin e kalimit të Ronaldos në Itali zgjaten dy muaj. /Gazeta Express/


