Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku akuzoi deputetët e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës se janë bërë pengesë për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se nuk ka shpërfaqje më të qartë të mungesës së sovranitetit institucional dhe politik në Kosovë sesa që është rasti i FSK-së.
“Vetëm një pengesë është tash, e ajo është deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës. Nuk ka pengesa tjera dhe ne besojmë që kjo pengesë do të tejkalohet. Serbia e ka të qartë se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj”, tha ministri Çeku të mërkurën në forumin për siguri me temën “Zhvillimi i marrëdhënieve civile- ushtarake në Kosovë”, i organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare.
Ministri Çeku tregoi se kryeministri Hashim Thaçi në bisedimet me Serbinë kishte pranuar që FSK-ja të mos shkojë edhe për një kohë në veri të Mitrovicës.
Ai tha se integrimi në NATO është objektivi dhe synimi strategjik dhe sipas tij kushti për t’u anëtarësuar kanë qenë edhe marrëdhëniet me Serbinë. Këto kushte, shtoi ai, janë duke u përmbushur.
“Disa prej kushteve ne si shoqëri i kemi përmbushur, disa janë duke u përmbushur në veçanti marrëdhëniet me Serbinë. Ne e respektojmë sovranitetin e tyre, por e dimë që ata kundërshtojnë sovranitetin tonë”, pohoi Çeku.
Ndërsa komandanti i FSK-së gjenerali Kadri Kastrati tha se transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës paraqet një sfidë në vete.
“FSK-ja funksionon sipas parimeve të kontrollit demokratik dhe civil. Transparenca kontrolli dhe llogaridhënia janë fuqimisht të theksuara”, tha gjenerali Kastrati.
Ai tregoi se marrëdhëniet civile-ushtarake përfshijnë kontrollin demokratik të forcës, transparencën dhe llogaridhënien.
Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja Anton Çuni, tha se Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës ka trajtuar katër ligje që kanë të bëjnë me Forcën e Sigurisë.
Por, më i ashpër ka qenë Visar Ymeri nga “Vetëvendosja”.
Ai tha se nuk ka shpërfaqje më të qartë të mungesës së sovranitetit institucional dhe politik në Kosovë sesa që është rasti i FSK-së.
Sipas Ymerit, kontrolli politik po ia pamundëson FSK-së obligimin e vet kushtetues që e ka dhe “FSK-ja shpeshherë dështon në mbrojtjen e qytetarit të Republikës së Kosovës”.
“Kemi rastin e Karaçevës ku xhandarmëria serbe defilon çdo ditë brenda fshatit dhe FSK-ja nuk ndërmerr asgjë, sepse FSK-ja realisht nuk është ushtri”, tha Ymeri.
Sipas tij, FSK-ja është “ushtri e çuditshme” sepse ka të drejtë vetëm jashtë Kosovës të shërbejë në mbrojtje të integritetit territorial, por jo edhe brenda vendit.
Gjatë këtij forumi u diskutua edhe për fuqizimin e grave në raportet civile-ushtarake, karakteristikat e kontrollit civil ndaj sektorit ushtarak dhe tiparet thelbësore të profesionit të ushtarakut



