Adnan Rrustemi: Zbarkimi i Serbisë përmes Listës Serbe!

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Nderohet dëshmori Shaqir Hoxha

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë gjatë ditës së...

Vjedhje e rëndë në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se të dyshuar të...

asdas

Sabotimi haptazi i Republikës dhe shtetit nga Lista Serbe e ngërthyer edhe në deklaratat dhe qëndrimet e fundit të Jabllanoviqit, sado acaruese për publikun, paraqet karakterin e vërtetë të saj dhe shfaq arsyen esenciale politike të ekzistimit të Listës Serbe. Si destinim të shpallur edhe zyrtarisht për të pamundësuar shtetin e Kosovës, si strukturë e krijuar nga Serbia, ajo mishëron qëndrimet e saj, ashtu siç e përfaqësonin atë strukturat paralele më parë. Më tepër sesa misionin e kësaj organizate, gjuha dhe karakteri i tyre më së miri flet për përmasat e dëmeve të dialogut politik Thaçi-Daçiq, Marrëveshjes së 19 prillit dhe për atë se çfarë na pret në të ardhmen.

Si transformim i strukturave paralele në një subjekt politik, i cili pa verifikimin minimal ligjor dhe politik për kandidatët dhe programin nga ana e KQZ-së, e cila atëbotë ishte vënë në funksion të plotë të dialogut politik me Serbinë, duke përmbushur jo rrallëherë edhe kërkesa të drejtpërdrejta të Qeverisë së Serbisë. Lista serbe përmes një procesi po aq paralel e të paligjshëm të sjelljes së fletëvotimeve të falsifikuara nga Serbia arriti deri këtu, duke kaluar një sërë fazash, të gjitha këto sipas kushteve dhe kërkesave të tyre, gjersa institucionet vendore symbyllazi toleruan ngritjen e saj dhe po e legjitimojnë përditë si një Serbi në miniaturë përbrenda institucioneve dhe Republikës në përgjithësi.

Në funksion të kësaj dhe në kontekst të zgjedhjeve u kujdesën që zbarkimi i saj të jetë mohues kundrejt shtetësisë së Kosovës. Ata arritën të drejtën e votës dhe të kandidimit si në asnjë vend tjetër të botës vetëm mbi bazën e shtetësisë dhe të dokumenteve të një shteti tjetër, në këtë rast të Serbisë, sollën dhjetëra mijëra fletëvotime nga Serbia të falsifikuara dhe të mbushura nga një dorë e vetme, me shënjimin e pesë kandidatëve të preferuar të Qeverisë së Serbisë. Ndërsa, kur aplikuan si subjekt dhe votuan në zgjedhjet lokale kërkuan heqjen e stemës nga fletëvotimet dhe formularët, kurse në ditën e zgjedhjeve votuan me dokumente të Serbisë. Për të vazhduar me mohimin e çfarëdo identifikimi me shtetin e Kosovës mbuluan stemën me “stikersa” gjatë konstituimit dhe dhënies së betimit të Kuvendeve Komunale. Ndërkaq tani që janë në institucione pa pranuar as edhe dokumentet e identifikimit personal të Republikës së Kosovës e luftojnë hapur dhe me të gjitha mjetet, duke u deklaruar lirshëm “Kosova dhe Metohia”, pandëshkueshëm i quajnë “egërsira” protestuesit dhe njëanshëm dërgojnë shkresa dhe prezantojnë komunat si pjesë të Serbisë.

Kjo organizatë si në aspektin e orientimit politik, por edhe të veprimeve paraqet zgjatim të drejtpërdrejtë të Qeverisë së Serbisë edhe në institucionet e Kosovës, gjersa sjellja e saj është vënia në lëvizje e një cikli të veprimeve politike të Serbisë, të cilat synojnë të përmbyllen me formësimin dhe legjitimimin përfundimtar të Asociacionit të Komunave Serbe si entitetit politik dhe territorial serb përbrenda Kosovës. Sido që të jetë, Qeveria e Kosovës fillimisht me planin e Ahtisarit, dhe për të mos mjaftuar kjo, me dialogun Thaçi-Daçiq, tani e tutje Mustafa-Vuçiq është kurthuar në këtë cikël që në nivel afatgjatë përmbushë projeksionet e Serbisë, minon qëndrueshmërinë shtetërore dhe pamundëson sovranitetin dhe integritetin edhe në kuptimin minimal të fjalës.

Mëdyshje për qëndrimet dhe orientimin e Listës Serbe nuk ekzistojnë, ata nuk kujdesën fare as që t’i kamuflojnë ato. Haptazi dhe qartazi angazhohen kundër shtetit të Kosovës dhe kthimin e Serbisë në çfarëdo forme në Kosovë e disiplinimi i tyre po duket edhe më i pamundur sesa është paralajmëruar. Por, përgjegjësia për sjelljen dhe dëmin që po i bën kjo organizatë Republikës para së gjithash duhet të kërkohet tek institucionet vendore dhe koalicioni PDK-LDK. Rruga e spastruar nga çdo element shtetëror përgjatë procesit zgjedhor dhe hapësira e dhënë në qeverinë e vendit, përmes pranimit të kushteve të tyre për formimin e qeverisë, e qe besa edhe të miratimit të buxhetit, është vetëm prologu që paralajmëron cakun përfundimtar të tyre. Varësia gati ekzistenciale e Qeverisë dhe shtetit nga qëndrimi i Listës Serbe nënkupton pakt me djallin, për të cilin më meritori padyshim që është Hashim Thaçi, i posa laureuar me çmimin “Honoris Causa”, i cili nxitoi si rëndom për të arsyetuar dhe për ta “përhumbur” para qytetarëve karakterin e vërtetë të vizitës së kryeministrit dhe gjysmës së Qeverisë së Serbisë në Kosovë, që në fakt po vijnë për t’i dhënë fuqi qëndrimeve dhe sjelljes së Listës Serbe në njërën anë dhe në anën tjetër për të dëshmuar edhe njëherë vogëlsinë e Qeverisë së Kosovës. Përderisa, Isa Mustafa mbyll sytë për këtë, dhe veshët para kërkesave të qytetarëve për të shkarkuar ministrin Jabllanoviq, duke na bërë me dije se pafuqia e tij si kryeministër është fatkeqësia jonë si qytetarë.

Adnan Rrustemi

SHIKO MË SHUMË

Nderohet dëshmori Shaqir Hoxha

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë gjatë ditës së...

Vjedhje e rëndë në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se të dyshuar të...

Raportohet një rast dhunë në familje në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se viktima femër shtetase e huaj ka raportuar se ka...