Adnan Rrustemi: Korrupsion me rrënjë vendore e tutelë ndërkombëtare

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Rrahje mes dy femrave në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se dy të dyshuarat femra kosovare, janë përleshur në mes...

Policia gjenë armë pa leje tek një shtëpi në Llugaxhi

Policia Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit mashkull kosovar,...

Korrupsioni i kudondodhur në Kosovë, duke vjedhur rritjen ekonomike, rrënuar demokracinë, degraduar institucionet, pamundësuar vendosjen e shtetit të së drejtës dhe mbi të gjitha në kontekstin politik duke shërbyer si një portë përmes të cilës kanë dalë kompromiset me Serbinë, duke shantazhuar zyrtarët e Kosovës në dialogun politik me Serbinë, sado që buroi dhe gjeti nënshtratin e tij në një klasë politike kriminale në thelb, e zotuar për të plaçkitur çdo gjë publike, duke i transferuar në regjistrin e pasurisë së tyre personale, ka gjetur një bazë të mbështetjes edhe nga prania ndërkombëtare në këto gjashtëmbëdhjetë vjet. Që nga misioni i UNMIK-ut që me karakterin e tij korruptiv, zyrtarët e lartë të të cilit në bashkëpunim me politikanët vendor kishin vënë bazat e keqpërdorimeve, për të vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë, ku diplomatë të ndryshëm u bënë hisedar të përfitimeve individuale apo grupore, që nën petkun e diplomatit dhe me autoritetin që kishin prej ndërkombëtarësh, impononin investime publike aspak transparente, me kontrata njëburimore e të negocuara.

Petku ndërkombëtar i korrupsionit, por me rrënjë vendore, seç i shërbeu si masë mbrojtëse, dhe diku edhe si nxitës që qeveritarët e Kosovës të mos hezitojnë të marrin pjesën e tyre të plaçkës, pasi që kishin plotësuar tashmë kërkesat e ndërkombëtarëve, përderisa, kjo ndarje e përbashkët e përfitimeve, Kosovës ju kthye dhe po vazhdon t’i kthehet edhe si dëm politik, përveçse financiar e institucional.

Rastet më të rënda që njihen, nisën me UNMIK-un, ku, përderisa zyrtarët e UNMIK-ut që administronin me pasurinë publike, transferonin në xhirollogaritë e tyre fiktive miliona euro, siç ishte rasti i Jo Trutshclerit, i cili atëbotë si menaxher ndërkombëtar i KEK-ut, kishte zhdukur para të destinuara për KEK-un dhe ishte zbuluar se kishte përfituar rreth 4.3 milionë dollarë. Kontrata tjetër që është ndarë në mes hisedarëve vendorë e ndërkombëtar është kontrata për të ndërtuar Rrugën e Kombit, e cila i ishte dhënë në prill 2010 “Bechtelit”, pas lobimit të ambasadorit të atëhershëm në Kosovë Christopher Dell. Gjersa, Dell pastaj u punësua nga Bechtel si drejtor i kompanisë në Afrikë. Apo, rasti tjetër, i dyshimeve për parregullsi dhe keqpërdorime është ndërtimi i pallatit të drejtësisë, i cili edhepse projekt dhe investim i BE-së, prej 30 milion eurosh, po konsiderohet jofunksional dhe  po rrezikon jetën e punëtorëve që punojnë aty, duke e bërë të domosdoshme nisjen e hetimeve.

Në linjë të njëjtë, duhet të shihet edhe kontrata e fundit, e cila larg syve të publikut dhe sërish me ofertë të negociuar, në prani të ambasadorit amerikan u nënshkrua me “Contrur Global” për ndërtimin e Termocentralin “Kosova e Re”, projekt ky që do të ketë një kosto prej 1 miliard euro,  për të cilin, gjëja e vetme që dihet deri më tani është se do të dyfishohet çmimi i energjisë elektrike, si barrë për konsumatorët, ndërsa duhet të presim që të shohim lidhjet politike dhe diplomatike që qëndrojnë në prapaskenë të kësaj.

Ironikisht, por aspak befasuese, edhe pse Kosova renditet në krye të listës së vendeve më të korruptuara, nuk kemi asnjë politikan të gjykuar për keqpërdorime dhe korrupsion. Jo befasuese, ngase luftimi i tyre për korrupsion pashmangshmërisht është i lidhur me largimin e tyre paraprakisht nga pushteti, e duke qenë të njëjtit në krye të institucioneve, përmes të cilave herë ligjërisht, zakonisht kundërligjshëm kanë uzurpuar dhe vënë nën kontrollë edhe institucionet e ndjekjes dhe të gjyqësorit.

Me pushtetarë të ndarë edhe fizikisht nga populli, të cilët nga rançet dhe shtëpitë e tyre në lagjet elitare, ndjekin politika ekonomike që në radhë të parë i shërbejnë transferimit të burimeve apo gjenerimit të të hyrave të bizneseve të tyre, familjarëve apo financuesve të fushatave të tyre dhe vetëm në fund ajo çfarë mbetet lansohet si investim publik gjoja në funksion të ekonomisë së përgjithshme. Sado që, korrupsioni shpjegon pse popullsia e gjerë është e varfër dhe qeveritarët të pasur, rruga drejt braktisjes së varfërisë në Kosovë, duhet domosdoshmërisht të kalojë, në mos edhe të fillojë me shkëputjen nga kjo mendësi dhe model qeverisës, të cilët po ndëshkojnë me varfëri qytetarët për të shpërblyer vetën dhe rrethin e tyre me pasuri të pamatshme. Gjersa, kërkesa e diplomatëve për luftë kundër korrupsionit për sa kohë qëndrojnë përkrahë Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, dy prijësit e aferave korruptive, tingëllon hipokrite.

Tashmë, është vërtetuar se varfëria në masë të gjerë në shoqëritë dhe shtetet bashkëkohore, determinohet nga politikat e gabuara dhe në veçanti nga institucionet e korruptuara, të shkëputura nga qytetarët, nevojat dhe interesat e tyre. Korrupsioni i lartë dhe ngarendja e oligarkëve qeveritarë për të përvetësuar pasuri, kryesisht nga  keqpërdorimi i detyrës zyrtare, nuk mund të ketë epilog tjetër, veçse thellim të pabarazive, duke na ofruar në njërën anë pushtetarë të tejpasur, përkundër që para se të ngriheshin në pushtet ishin të varfër dhe, në anën tjetër qytetarë të cilët vetëm sa po zhyten edhe më thellë në varfëri.

Lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht çështje fushatash, aq më pak e deklaratave, sikurse edhe nuk është thjesht ndërprerje e teknikave që gati u artikuluan si legjitime në Kosovë, siç është 15% i tenderomanisë, por është çështje e shtetit të së drejtës, jo e shtetit ligjor në kuptimin e ngushtë, por të një shteti që pikënisje dhe pikësynim e ka drejtësinë shoqërore, në funksion të së cilës e vë infrastrukturën ligjore dhe mekanizmat institucionalë.

Korrupsioni në Kosovë ka zënë rrënjë, është shpërndarë dhe po mirëmbahet nga i ashtuquajturi shtet ligjor dhe me lehtësimin e ndërkombëtarëve si aureolë, në kuptimin që tenderomania, kontrata të privatizimit dhe të investimeve kapitale  qindra miliona euro përmes negocimit si model të dhënies së kontratave, e deri tek blerja e pronave private përgjatë rripit të  shtrirjes së investimeve publike, duke shfrytëzuar informacionin zyrtar për të përfituar pastaj nga kompensimi, paradoksalisht janë zhvilluar duke mos rënë në kundërshtim me “ligjin” dhe para syve apo në prani të ndërkombëtarëve të shumtë.

Pasurimi i shpejtë dhe marramendës i qeveritarëve në kurriz të popullsisë, duke i vjedhur mirëqenien e munguar qytetarëve është bërë sinonim i qeverisë së Kosovës. Kjo mendësi qeverisëse është shndërruarnë pengesën kryesore të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit, ndërsa vetë qeveria në kërcënimin më të madh që rrezikon interesat e qytetarëve.

Me qeveritarë të korruptuar dhe që kanë mbërthyer çdo burim publik të hyrash, të cilët synojnë të fusin në agoni kolektive popullsinë, e cila brenda saj dhe në varfëri të skajshme nuk gjenë forcë as edhe për t’u revoltuar, retorika për luftën antikoorupsion nuk është tjetër, pos një fushatë që nën siglën e antikorrupsionit, mëton legalizimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm para përmbysjes së këtij regjimi të nënshtruar para Serbisë e plaçkitës përballë qytetarëve, bajraktarët e të cilit, Isa Mustafa dhe HashimThaci, të ndodhur përballë zgjimit popullor kundër kësaj qeverie, janë mobilizuar për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga plaçka e tyre në këto pak ditë që ju kanë mbetur.

Adnan Rrustemi

SHIKO MË SHUMË

Rrahje mes dy femrave në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se dy të dyshuarat femra kosovare, janë përleshur në mes...

Policia gjenë armë pa leje tek një shtëpi në Llugaxhi

Policia Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit mashkull kosovar,...

Bastisje në Lipjan e Prishtinë, arrestohen dy persona – i treti në arrati

Policia e rajonit të Prishtinës ka arrestuar S. T. (48) dhe A. T. (21),...