AAK: Këto shkelje janë bërë, gjatë votimit të Thaçit për president

PUBLIKUAR

Nëpërmjet një komunikate, AAK ka radhitur shkeljet që mund të jenë gjatë procedurave për zgjedhjen e Hashim Thaçit president i Kosovës. Më poshtë lexoni të plotë arsyetimin e AAK-së.

“E para zt. Hashim Thaçi, mund ta ketë shkelur Kushtetutën, menjëherë pas zgjedhjes, sepse nuk ka bërë dorëheqje publike nga postet e mëparshme, siç e parasheh Kushtetuta. Ai këtë e ka bërë me disa ditë vonesë dhe në një rast të tillë ka bërë shkelje të Kushtetutës. Kushtetuta nuk parasheh shkelje të mëdha ose të vogla. Ai ose e ka shkelur Kushtetutën ose jo. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thuhet se presidenti i zgjedhur nuk mund të mbajë asnjë post tjetër dhe Hashim Thaçi, të paktën për disa ditë, ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Partisë Demokratike dhe atë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm.

E dyta, Hashim Thaçi është votuar në një Parlament i cili nuk i ka pasur 120 deputetë, por 119. Me Kushtetutën e vendit thuhet se vendi i zbrazët në Parlament duhet të plotësohet menjëherë dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Pas dorëheqjes së deputetit Ramush Haradinaj, presidentja e vendit ka kërkuar nga KQZ, që ta certifikojë Ali Berishën në vendin e zbrazët, me disa ditë vonesë dhe pas votimit të presidentit.

E treta, kryetari i Kuvendit nuk ka raportuar se sa deputetë mungojnë në seancën e votimit të presidentit. Sa prej tyre janë të përjashtuar, sa prej tyre mungojnë pa arsye dhe sa prej tyre mungojnë me leje, nëse ka pasur të tillë. Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese në ‘Rastin Pacolli’, thuhet se të 120 deputetët e Kuvendit duhet të jenë në sallë, përpos atyre që janë liruar me arsye dhe me leje të Kryetarit të Kuvendit. Në rastin e votimit të Hashim Thaçit president, nuk është zbatuar as kjo normë e përcaktuar me interpretim të Gjykatës Kushtetuese.

E katërta, nuk është plotësuar kushti i një kundërkandidati për president, ku zt. Rafet Rama, i propozuar nga Kryetari i Kuvendit dhe i arsyetuar nga deputetja Ganimete Musliu, qysh gjatë seancës ka rezultuar të jetë farsë.

Vetë kundërkandidati për president, zt. Rafet Rama, ka deklaruar se ai në të tri raundet e ka votuar kundërkandidatin e tij në këtë votim.

Deputetja Ganimete Musliu, që në fillim e kishte arsyetuar kandidaturën e zt. Rafet Rama për president, po në të njëjtën seancë e ka tërhequr arsyetimin e saj dhe ka bërë thirrje që të votohet Hashim Thaci e jo Rafet Rama, duke thënë se edhe ajo personalisht do ta votojë Hashim Thaçin, gjë që e ka lënduar tej mase kushtin themelor që për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, të paktën duhet të jenë dy kandidatë.

Dhe, së fundi, pushimet e pajustifikueshme ndërmjet raundit të parë, të dytë dhe të tretë të votimit, kanë krijuar një hapësirë dyshimi se janë bërë me qëllim të ndërhyrjes në vullnetin e deputetëve për të votuar, sepse ka pasur një ndryshim të madh nga rezultatet e votimit të parë me atë të votimit të tretë.

Të gjitha këto do të duhej të ishin arsye të mjaftueshme që çështja e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës (Hashim Thaçit) të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Tragjedia e djeshme në Pejë, sot varroset gruaja që u godit për vdekje nga treni

58 vjeçarja, Florije Muriqi e cila humbi jetën tragjikisht të hënën pasi u godit...

Rama ballë për ballë me Kurtin në Qeveri në takimin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar lidhur me Lojërat Mesdhetare ‘’Prishtina 2030’’, duke...

Lista Serbe i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kundër Nenad Rashiqit

Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër vendimit të Gjykatës...