Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj lajmit se liderit të kësaj partie, Ramush Haradinajt, i është vendosur masë ndëshkuese nga autoritetet amerikane, si reagim ndaj sjelljeve tij të dhunshme kundër institucioneve të Kosovës.
“Zoti Haradinaj nuk është futur në asnjë “kufizim’ për të udhëtuar në SHBA.
Shkrimi i publikuar në Indeksonline është një spekulim i kalkuluar nga kundërshtarët politikë, që jo njëherë po i shfrytëzojnë mediat që i kontrollojnë, për të lansuar gënjeshtra, në mënyrë që ta shmangin vëmendjen nga problemet reale me të cilat po përballet pushteti.
Për më tepër, ky portal as që ka kontaktuar zotin Haradinaj për të marrë një përgjigje për këtë ççështje nga dora e parë.
Haradinaj ka kontakte të rregullta me përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe SHBA-të dhe ky shkrim tendencioz nga portali Indeksonline nuk qëndron.
Për sa i përket ftesës së ‘Lutjeve të mëngjesit’, Indeksonline le ta kontaktojnë nikoqirin e kësaj ngjarje tradicionale dhe të marrin hollësi rreth kritereve të ftesave dhe të mos spekulojnë me burime këtu e atje.
Opinioni duhet të jetë i gatshëm, se në ditët e ardhshme do të përballet edhe me margaritarë të tjerë të kuzhinave të PDK-LDK, sepse ata janë në një panik alarmuese”, thuhet në një reagim të AAK-së.


