Viti 2016 është karakterizuar si vit i proceseve të shumta gjyqësore. Individ të ndryshëm, duke përfshirë edhe profile të larta në vend, gjatë vitit të kaluar, kanë qenë subjekt i ndjekjes penale.
Korrupsioni e krimi i organizuar, krimet e luftës, vrasjet si dhe ekstremizmi, kanë qenë veprat të cilat kanë dominuar në lëndët e prokurorive dhe gjykatave të vendit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndonëse disa nga proceset gjyqësore kanë arritur që ta marrin epilogun përfundimtar, një numër i madh i rasteve të tjera të cilat filluan vitin e kaluar, janë në fazën fillestare të gjykimit, duke bërë kështu që viti 2017 të jetë vit i shqyrtimeve të mëdha gjyqësore në vend.
Që nga shpallja e pavarësisë, deri në muajin qershor, lëndët e rënda penale kanë qenë objekt trajtimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it, mirëpo me ndryshimin e mandatit të këtij misioni, institucionet e drejtësisë në Kosovë, që nga pjesa e dytë e këtij viti e kanë marrë drejtësinë në duar të veta.
Rastet më të mëdha gjatë vitit që mbeti pas kanë qenë: Rasti i Azem Sylës dhe të tjerëve, i njohur si “Toka”; Rasti “Stenta” ndaj ish-ministrit të Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani dhe 64 personave të tjerë; Rasti ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve; Fillimi i procesit gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj; procesi gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, etj.
Po ashtu, gjatë vitit të kaluar është ngritur aktakuzë ndaj deputetëve të partive opozitare për hedhje të gazit lotsjellës në kuvend; Fillimi i hetimeve për rastin “Pronto”, ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovcit; Ngritja e aktakuzës për Fatmir Limajn për krime të luftës nga Prokuroria Speciale; Ngritja e aktakuzës ndaj disa imamëve të vendit për veprat penale që ndërlidhen me terrorizëm, etj.
Këto procese që kanë nisur të shqyrtohen gjatë vitit 2016, pritet të jenë ndër rastet më të rëndësishme që do të gjykohen gjatë vitit 2017…(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri si dhe në versionin Online me parapagim në online.zeri.info)


