Shkoi edhe 2016-a e Kosova mbeti pothuajse e njëjtë sikurse vitet e kaluara, pa përparime, pa liberalizim vizash, pa njohje nga shtetet anëtare të BE-së, me gaz lotsjellës në Kuvend e protesta në sheshet e Prishtinës.
2016-a, sipas analistëve, mund të konsiderohet si “viti i dështimeve”, me urimin që një vit i tillë të mos përsëritet më, shkruan Indeksonline.

Politologu Behlul Beqaj ka thënë në një prononcim për Indeksonline se këtë vit kishte shumë dështime e pak suksese. Sipas tij, vendi vetëm është katandosur edhe më shumë gjatë 2016-tës se sa që ishte vitet e kaluara.
“Viti 2016, ishte vit i shpresave dhe dështimeve të mëdha. Shpresa se shteti do të konsolidohet po rrezikohet deri në ditën e fundit nga shumica edhe më shumë nga pakica serbe… Por, zhgënjimi se do të thellohet mjerimi, papunësia, mosliberalizimi i vizave, dështimet në investime të huaja, vetëm një njohje, e vecmas korrupsioni u thelluan…Sikurse padrejtësia, shkatërrimi i shëndetësisë, arsimit… që u bënë realitet…”, ka thënë Beqaj.
Duke folur për ngjarjet që karakterizuar vitin që lam pas, ai tha se vetëm sporti e ka bërë vendin të ndjehet krenar në arenën ndërkombëtare.
“Suksesi më i madh ishte Majlinda Kelmendi,anëtarësimi i shumë sporteve në arenën ndërkombëtare… Ndërsa dështimi më i madh më i madh është aftësia e shtetit që qytetarit të Kosovës tia humb shpresën se Kosova mund të bëhet shtet normal ku do të vlerësoheshin qyetarët varësisht nga meritat e tyre!”, tha tutje Beqaj.





