Kuvendi i Kosovës ka mbështetur kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për rrënimin e murit në pjesën veriore të urës së Ibrit. Madje kryetari i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nëse brenda një afati të caktuar nuk rrënohet muri nga ata që e ndërtuan, atëherë institucionet do t’i nisin eskadronët për rrënimin e këtij muri, shkruan sot, gazeta Zeri
“Nëse muri në veri nuk largohet brenda kohës së caktuar, ne do të veprojmë dhe muri do të rrënohet. Kemi bashkëbiseduar me Kryeministrin, Presidentin, nuk kemi dashur ta politizojmë për hir të popullizimit. Kemi pasur edhe iniciativa që kanë qenë konkrete. Muri do të rrënohet, mirë është që të rrënohet nga ata që e kanë shkaktuar, por nëse nuk rrënohet nga ata, do ta rrënojmë ne. Do ta them qartë: do të shkojnë eskadronët e shkatërrimit të atij muri ”, ka thënë Veseli
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustfa, ka thënë se ai qëndron prapa marrëveshjeve që i ka nënshkruar dhe se ndërtimi i këtij muri nuk është pjesë e marrëveshjeve.
“Unë kur kam ardhur si kryeministër, i kam respektuar të gjitha dokumentet që Qeveria e atëhershme i ka nënshkruar dhe që janë ratifikuar në Kuvend, privatisht nuk kam bërë asnjë marrëveshje me njerëzit në veri, as nuk kam bërë barrikada as nuk kam hequr barrikada. Unë qëndroj prapa marrëveshjeve të cilat i kam nënshkruar në Bruksel, edhe prapa kësaj marrëveshjeje që ka të bëjë me urën, mirëpo unë më përgjegjësi të plotë ligjore e them se në asnjë moment në Bruksel nuk është diskutuar për ndërtimin e murit, por ka qenë vetëm për ristrukturimin e urës, për krijimin e rrethrrotullimit, të cilën ne e kemi nënshkruar”, ka deklaruar Mustafa duke thënë se Qeveria nuk do të pranojë që të dialogojë për murin dhe sipas tij ai duhet të hiqet.
Ndërkohë, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në seancën e thirrur për murin në Veri të Mitrovicës, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e paaftë për të bërë diçka, madje Lekaj e ka quajtur ekzekutivin e vendit si “Qeveri të vdekur”.
“Mjerimi është se kjo Qeveri çdo ditë e vit po kalon në një skepticizëm të përgjithshëm, sepse vetë Qeveria ndodhet në një pikë të vdekur. Qeveria e Serbisë po e shfrytëzon këtë, po financon këtë me një qytet të ndarë, sepse paqja dhe integrimi i asaj pjese nënkupton humbje të influencës mbi Kosovën. Serbia vazhdon të forcojë aleancën me atë pjesë për të shtyrë interesat e saj, jo se merakoset për serbët”, është shprehur Lekaj.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, se po aq të dëmshme sa strukturat ilegale serbe, janë strukturat politike vendore që iu janë përshtatur këtyre strukturave.
“Ajo që më bën përshtypje është një dyfytyrësi me këtë çka na ka ndodhur deri më tash. Theksi vendoset tek Serbia, strukturat ilegale të tyre. Po aq të dëmshme sa strukturat ilegale që e kanë bërë spastrimin etnik të Kosovës, po aq e dëmshme është struktura politike vendore që iu është përshtatur këtyre strukturave. Problemi do të ishte shumë më i vogël nëse ne ishim përballuar me këto struktura, por këtu është bërë një përshtatje me ato struktura”, deklaroi Konjufca.
Edhe “Nisma për Kosovën” ka dhënë kritika të shumta ndaj Qeverisë për mënyrën e zhvillimit të dialogut me Serbinë dhe për dëmet që sipas kësaj partie po i shkaktohen vendit nga ky dialog.


