Komuna i kishte premtuar kryefamiljarit, që humbi tragjikisht djalin e vajzën, se do ta ndihmonte, do t’i gjente punë, por edhe pas gjashtë muajsh nuk ka asnjë veprim në këtë drejtim. Shpend Ahmeti ka refuzuar prindin fatkeq Muhamet Mramorin, duke mos e pranuar as në një takim të shkurtër për ta dëgjuar për hallet e brengat e këtij fatkeqi
Edhe pse po kalojnë plot 6 muaj nga vdekja tragjike e dy fëmijëve, Florent dhe Florentina Mramorit, në gropën e mbushur me ujë në lagjen “Kolovicë” të Prishtinës, të hapur paraprakisht nga një kompani ndërtimesh për punime, dhe e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, për çka edhe ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mos urdhëresën e kthimit të terrenit në gjendjen e mëparshme, prindi i viktimave Muhamet Mramori, vazhdon të jetë i nëpërkëmbur dhe i injoruar për të gjitha kërkesat e tij pas fatkeqësisë me epilog tepër tragjik.
Ai është harruar fare nga komunarët, pavarësisht nga premtimet të cilat i kishin dhënë asokohe krerët e Komunës së Prishtinës në krye me kryetarin Shpend Ahmeti për ta pasur në përkujdesje dhe mbështetje familjen fatkeqe Mramori. Në një bisedë për “Kosova Sot”, ai shprehet se pas vizitës formale për ngushëllime që i kishin bërë krerët hileqarë të Komunës dhe kryetari Ahmeti, sot e asaj ditë nuk e ka kthyer më askush kokën për t’i ndihmuar në tejkalimin e dhimbjes, e aq më pak në marrjen e përgjegjësisë për të cilën ishin zotuar zyrtarët e Komunës, me premtime për mbështetje financiare, deri te sigurimi i një vendi të punës për kryefamiljarin Muhamet Mramori.
Ai thotë se dera e kryetarit Ahmeti vazhdon të jetë e mbyllur për kërkesat që ka bërë ai me shkrim qe të takohet me kryetarin Shpend Ahmeti, dhe rreth asaj që i ishte premtuar gjatë ngushëllimeve për vdekjen e dy fëmijëve. Disa herë është drejtuar për në Komunë, ka plotësuar zyrtarisht kërkesat për takim me kryetarin Ahmeti, por ato janë heshtur dhe asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje, as nuk është ftuar në ndonjë takim të shkurtër, shkruan gazeta Kosova Sot.
Dhimbja e rëndë për t’u përballuar
Muhamet Mramori thotë se, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, 6 muaj nga ai rast, dhimbja mbetet e freskët, dhe sado që mundohen ta largojnë atë, përpjekja behet dhe është edhe me e vështirë. “Fëmijët kanë jetuar këtu, vajza 13 vjet dhe djali 11, prandaj vedhe po të duam për ta larguar dhimbjen, ne nuk mund ta bëjmë atë, sepse ata këtu janë rritur dhe këtu kanë jetuar, dhe akoma kujtimet dhe gjërat e tyre i kemi e i shohim këtu në shtëpi. Po mundohemi boll, por bukur vështirë, gati tërë kohën po e kalojmë këtu brenda’, thotë Muhamet Mramori. Ai pohon se premtimet e kryetarit dhe zyrtarëve të tjerë të Komunës nuk po dalin ashtu sikur i kishin dhënë dhe jeta sa vjen e bëhet akoma më e vështirë. “Është dashur ta dinë që ne duhet të jetojmë, të vdesim edhe ne nuk mundemi, dhe tani të mos duken më hiç prej atyre ditëve të para që kanë qenë, ato shpenzime që i kanë hequr, të varrimit dhe për të pamën që e kemi pasur, dhe pak para që na i dhanë kinse për qira, që të dalim prej këtu, nuk janë dukur më. Mirëpo, zgjidhja nuk është ajo, sepse ti po del për dy- tre muaj dhe po duhet të kthehesh prapë këtu dhe kjo është akoma më keq. Prej asaj kohe më nuk kanë qenë kurrë, jo valla kurrë, për të thënë të kujdesemi për diçka, për të parë nëse kanë idare apo si po mbijetojnë, nuk janë dukur fare”, thotë Mramori në bisedë për Gazetën. “Ndoshta ata po duan t’i ikin përgjegjësisë, dhe po mendojnë që derisa nuk bën zë ky, e mos të bëjmë as ne, për këtë arsye po ma merr mendja që e kanë lënë në heshtje këtë rast më së shumti, por besoj që përgjegjësinë herët a vonë nuk kanë çare pa e marr përsipër, sepse atë gropë atje ne nuk e kemi hapur e as mbaruar, atë e kanë mbaruar kompanitë kontraktuese të Komunës së Prishtinës, i kam edhe letrat se cilat kompani kanë punuar aty dhe dihet se me kë kanë pasur kontratë. E para që e ka nisur është “Evropa Partners”, e më pastaj kanë punuar edhe kompani të tjera. Këta kanë ardhur dhe ia kanë ndalur punën dhe pas dy- tre ditësh ia kanë filluar punës përsëri”, vazhdon rrëfimin Muhamet Mramori.
Kryetari nuk e pret as në takim hallexhiun qytetar nga lagjja “Kolovicë”
Sipas Muhametit, urat e komunikimit me kryetarin Ahmeti vazhdojnë të mbeten të shkëputura, ngase ai nuk po e fton dhe as e pranon në takim ne zyrat e tij , dhe ky ka kohë që është zhgënjyer dhe nuk ka bërë ndonjë kërkesë të re. “Kam komunikuar me Shpendin veç në ato ditët kur kanë qenë me më pa. Kur më kanë premtuar për mos me pas gajle të idares, gajle qysh po jetojmë, që ne me e pas mërzinë veç tonën, e mos me pasë të tjera preokupime, se ata kujdesen për të gjitha sendet e tjera, madje edhe për një vend punë. Dy- tre muaj më vonë kam kërkuar të takohem me të, por kurrë nuk më ka thirrur”, është shprehur Mramori. Ndonëse ka kaluar kohë e gjatë dhe premtimet nuk po përmbushen, as takimi nuk po realizohet, Mramori dyshon që dikush është duke e penguar Shpend Ahmetin që të mos adreson përgjegjësinë që iu takon zyrtarëve të Komunës, sepse ndryshe nuk beson akoma që ky mund të jetë edhe qëndrim aq i ngurtë dhe i lig i Shpend Ahmetit, për të cilin akoma ka një pritje me ndryshe, një pritje të reflektimit pozitiv. “Tash a varet krejt prej tij apo prej rrethit të tij, ne nuk mund ta dimë, por si person mendoj që Shpendi nuk është njeri tepër i keq, por tash mund të jetë që nuk varet edhe krejtësisht vetëm prej tij. Ai është kryetar, por se si shkojnë vendimmarrja aty brenda unë nuk e di, tash i ka ra hise këtij, ka qëlluar në mandatin e tij dhe duhet të jepet edhe përgjegjësia nga vetë ai”, thotë me vaj në buzë Muhamet Mramori.
Fundi i heshtjes ndaj injorimit të Komunës
Sa i përket premtimit të vendit të punës, edhe ai nuk po përmbushet. “Vallahi jo që kemi kërkuar ne, por na patën thënë vetë ata në fillim, vetë na kanë thënë në fillim se ju e keni vetëm dhimbjen e juve, kurse për të gjitha këto gjërat e tjera mos e bëni gajle as për idare, as për punë dhe për asgjë, sepse për krejt kujdesemi ne si institucion. Mirëpo, derisa më thoshin për diku do vende pune, kur vinte puna për t’u bërë më thoshin jo valla nuk po bëhet. Ata duhet ta dinë që edhe ne jemi gjallë dhe duhet të jetojmë, të hamë dhe të pimë… “, thotë Mramori i nervozuar në pushtetarët e Prishtinës. Pas paraqitjes së tij në medie rreth këtij rasti, ai shprehet që komunarët mund të pezmatohen akoma më shumë dhe t’ia marrin inat, por thotë se mjaft i ka pritur 6 muaj reagimet e tyre dhe ato nuk janë dukur asgjëkund me asnjë veprim. “Ata kanë menduar që po heshtet kjo punë dhe po mbetet me aq, por ne nuk mund t’i presim tani në pafundësi, sepse u pa që nuk po reagojnë asgjë në të mirën tonë”, thotë ai në fund të bisedës me gazetarin e Gazetës “Kosova Sot”.


