Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për përvjetorin e 26-të të themelimit të Partisë Demokratike në Shqipëri i ka dërguar një telegram urimi kryetarit të saj, Lulzim Basha.
Në telegramin e tij, kreu i PDK-së ka thënë se kjo është një datë e shënuar jo vetëm për shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe mbarë trojeve të tjera, pasi është dita e lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri.
Kjo është letra e plotë e Veselit dërguar Bashës:
I dashur Lulzim,
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, ju përcjell urimet më të përzemërta për përvjetorin e 26-të të themelimit të Partisë Demokratike.
Kjo është datë e shënuar jo vetëm për shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe mbarë trojeve të tjera, pasi është dita e lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri.
Krijimi i Partisë Demokratike asokohe ndezi një rreze shprese për të gjithë shqiptarët që kishin ëndërruar për dekada me radhë shembjen e regjimit komunist më të egër dhe më izolues në Evropë dhe hapjen e Shqipërisë drejt lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Me këtë rast, dëshiroj t’ju përgëzoj juve dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e Partisë Demokratike për arritjet e deritanishme dhe kontributet e dhëna në proceset më të rëndësishme që ka kaluar vendi gjatë tranzicionit. Gjithashtu, ju uroj suksese në vazhdimin e përpjekjeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mirëpres intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë ndërpartiak dhe forcimin e marrëdhënieve tona miqësore në të mirë të shteteve tona. Edhe njëherë, shpreh urimet e sinqerta për gjithë anëtarët e Partisë Demokratike për këtë datë të rëndësishme jo vetëm për ta, por edhe për demokracinë shqiptare.


