Youth Association for Human Rights (YAHR) në Lipjan ka publikuar raportin e monitorimit “Qeverisja Lokale në Lipjan” bazuar në monitorimin e punës së Kuvendit komunal të Komunës së Lipjan gjatë periudhës Korrik – Dhjetor 2016.
Monitorimi është fokusuar në Asamblenë Komunale dhe organet tjera të këtij Kuvendit.
“Në bazë të punës sonë monitoruese të drejtpërdrejtë dhe në bazë të vlerësimeve me anë të fletë notimit kemi konstatuar këto fakte: Gjatë periudhës raportuese Korrik – Dhjetor 2016, kuvendi komunal i Lipjanit ka pasur një dinamikë të mirë të aktiviteteve. Ku gjatë kësaj periudhe kemi 41 vendime të miratuara ose 70.68 % dhe krahasuar me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar kemi një rritje prej 100 %, pastaj kemi 10 raporte apo njoftime të ndryshme të shqyrtuara me 17.24 % dhe 7 rregullore ose plane komunale të miratuara me 12.06 % nga totali i përgjithshëm të aktivitete. Në vitin 2016 vërehet një tendencë nga ana e ekzekutivit të Komunës së Lipjanit që ti lihet apo të ngarkohet Kuvendi komunal me më shumë përgjegjësi në marrjen e vendimeve të servuara të gatshme nga ana e ekzekutivit. Ku kemi një rritje të aprovimit të vendimeve krahasuar me vitin e kaluar, për shembull në vitin 2015 i kemi pasur 24 vendime të miratuara nga e Kuvendit komunal, ndërsa gjatë vitit 2016 i kemi një rritje prej 70 % nga 24 në 41 vendime të miratuara”, thuhet në Raport.
Sipas YAHR-së, top treshja me aktive nga ana e deputetëve të kësaj legjislature për periudhën Korrik – Dhjetor 2016 është: RAMIZ QIRIQI PSD 91 pikë, FLORENT HOXHA PDK 78 pikë dhe LULZIM RRUSTEMI PDK 66 pikë.
Top tresha më pasive në Kuvendin Komunale për periudhën Korrik – Dhjetor 2016 përbëhet nga deputetet: VALBONA SHILLOVA PDK 0 pikë, NAIM JAHIRI LDK 0 pikë dhe ARTON RETKOCERI LDK -1 pikë, thotë YAHR.
“Është interesante se gjatë kësaj periudhe raportuese kemi një dinamikë të mirë të ngritjes së shqetësimeve të qytetareve nga ana e deputeteve. Ku kemi 45 çështje të ngritura të problemeve të ndryshme që preokupohen qytetaret e Komunës së Lipjanit dhe krahasuar me vitin e kaluar kemi një rritje prej 200 %. Ndërsa, nga Subjektet politike me aktive është Subjekti i PDK-së i cili gjatë kësaj periudhe i ka ngritur 21 çështje të qytetarëve ose 46.67 % prej totali të përgjithshëm, pastaj është interesant krahasim me vitin e kaluar kemi një angazhim shumë më aktiv të AAK-LDD-IQL me 7 çështje të ngritura ose 15.56 % dhe po ashtu PSD 1 me 7 çështje të ngritura ose 15.56 % , pastaj vazhdohet VV dhe AKR-në me nga 3 çështje te ngritura , G.I.SRPSKA me 2 ose me 4.44 % dhe LDK me PD me nga 1 çështje të ngritur me 2.22 %. Sa i për ketë pyetje parlamentare të drejtuar mbi punën e ekzekutivit kemi Subjektin politik të PSD më aktiv, ku kemi 4 pyetje, pastaj edhe AAK-LDD-IQL me 2 pyetje.
Komuna e Lipjanit vazhdon me shkeljen e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave Nr. 03/L-041 të datës 20 shkurt 2008, me anë të Statutit Komunal ( Nr. .110-623 i datës 26.09.2008). Ku në bazë të këtij ligji, Komuna e Lipjanit i ka 59 vendbanime dhe fshatra, ndërsa në Statutin Komunale në kapitullin II, ku ka të bëjë me vendbanimet e komunës, gjegjësisht në nenin 13. rreth vendbanimet dhe fshatrat, figurojnë 70 vendbanime dhe fshatra, që do të thotë në bazë të ligjit të lartë përmendur Komuna e Lipjanit i ka 11 fshatra më pak se sa me statutin komunal”, thuhet më tej në raport.
Sipas YAHR-së, “Vazhdohet me mos transparencë nga ana e Kryesueses së Kuvendit Komunal, me injorimin e dërgimit të materialeve të seancave të Kuvendit ndaj organizatave te shoqërisë civile dhe bëjnë seleksionimin se cilat janë të përshtatshme për të bashkëpunuar me ta”. /LipjaniNews.com/
Kliko raportin e detajizuar (Këtu)


