Lipjan, 7 tetor – PDK-ja, Dega e Lipjanit, ka ftuar kryesuesen e KK të Lipjanit, Vlora Limani – Hajnuni, që të respektojë dispozitat ligjore për të thirrur sërish mbledhje të jashtëzakonshme, e cila ka të bëjë me telashet në procesin arsimor.
Në të vërtetë, një mbledhje e jashtëzakonshme ishte mbajtur më 10 shtator, mirëpo PDK-ja e kishte braktisur atë me pretendimin se kryesuesja kishte bërë dy shkelje ligjore.
PDK-ja pretendonte se mbledhja e jashtëzakonshme ishte thirrur me rend ditë të ndryshuar nga kërkesa e grupit të anëtarëve të KK-së në Lipjan dhe me dy pika të rendit të ditës. Kurse e dyta, thuhej se mbledhja ishte thirrur të hënën për t’u mbajtur, të mërkurën e që, sipas zyrtarëve të PDK-së, me këtë rast nuk ishte plotësuar afati ligjor prej tri ditësh nga koha kur duhej të thirrej seanca e tillë.
Pas gjithë kësaj, PDK-ja, po kërkon të ripërsëritet seanca e jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës, telashet në arsim.
“Ne tashmë edhe zyrtarisht kemi ftuar kryesuesen e KK-së të Lipjanit të respektojë dispozitat ligjore dhe të thërrasë mbledhjen e jashtëzakonshme të kërkuar nga grupi i anëtarëve të KK-së në Lipjan për të shqyrtuar parregullsitë e shumta me rastin e pranimit të kuadrit arsimor në konkursin e shpallur nga DA-ja në Lipjan për vitin shkollor 2014/2015.
Grupi i anëtarëve të KK-së në Lipjan nga subjektet politike PDK dhe PSD kanë bërë kërkesë të re për mbledhje të jashtëzakonshme për t’i bërë publike të gjitha shkeljet që janë bërë nga Drejtoria komunale e Arsimit gjatë pranimit të kuadrit arsimor në Lipjan”, ka thënë Lulzim Rrustemi, nënkryetar i PDK-së, Dega në Lipjan.
Mirëpo, kryesuesja e KK të Lipjanit, Vlora Limani – Hajnuni, ka refuzuar t’i përgjigjej Degës së PDK-së në këtë Komunë dhe ta thërrasë sërish një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar edhe një herë mbi telashet në arsim dhe pranimin e kuadrit arsimor sivjet.
Kryekuvendarja ka deklaruar se mbledhjet e KK-së nuk mund t`i përshtaten agjendës së një partie apo subjekti politik. Sipas saj, mbledhja e jashtëzakonshme e thirrur me kërkesën e kryetarit të Komunës dhe me 1/3-tën e kuvendarëve ishte mbajtur më 10.09.2014 dhe aty ishte diskutuar sipas rendit të ditës.
Kryesuesja e KK-së ka këmbëngulur, ndërkaq, se PDK-ja nuk ka pasur arsye ta lëshojë mbledhjen, ndërsa, sipas saj, në atë mbledhje ka diskutuar anëtari i PSD-së që njëherësh ishte nënshkrues bashkë me PDK-në për thirrje të mbledhjes së jashtëzakonshme.
“PDK-ja edhe pse nuk kishte arsye e lëshonte mbledhjen, por PSD-ja e cila ishte nënshkruese e kërkesës për mbledhje të jashtëzakonshme mbeti në sallë dhe diskutoi për çështjet të cilat i konsideroi të rëndësishme për t’u diskutuar.
Unë nuk kam ndonjë kërkesë zyrtare nga PDK-ja për ripërsëritje të mbledhjes, por nëse kjo realisht është kërkesë e tyre absolutisht është e papranueshme dhe jashtë çdo logjike normale të demokracisë”, ka thënë kryesuesja, Limani – Hajnuni.
© KOHA Ditore



