Një deputet i PDK’së po thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme rrezikojnë ta lënë Kosovën pa Qeveri. Fatmir Xhelili ka thënë se aktualisht Kosova nuk ka një Qeveri shumë funksionale, por, zgjedhjet nuk janë garanci se situata mund të ndryshojë shumë. Sidoqoftë, ai thotë se PDK nuk do të marrë vendim njëanshëm për të shkuar në zgjedhje pa u konsultuar me LDK’në.
Për dallim prej Shukuri Bujës e Nait Hasanit, deputeti tjetër i PDK’së, Fatmir Xhelili po thotë se ka rrezik të shkohet tash në zgjedhje bazuar në gjendjen politike në të cilën ndodhet Shteti.
Xhelili ka thënë se ekziston rreziku që nëse shkohet në zgjedhje Kosova të mbetet pa Qeveri për shkak të situatës aktuale politike.
“Me zgjedhje të reja, mund të kemi prej një qeverie jo fort funksionale, me mbet pa Qeveri. Këto gjëra duhet t’i analizojmë mirë para se të marrim një vendim”, ka thënë Xhelili, për Express, të shtunën.
Sidoqoftë, i pari që ka përmendur shkuarjen në zgjedhje prej PDK’së është Kadri Veseli. Ai kishte thënë se nëse ka një marrëveshje atëherë s’është fundi i botës për të kërkuar votën e qytetarëve. Këtë ide e kishte përkrahur Vetëvendosje, AAK e NISMA. Ishte kundërshtuar vetëm nga LDK.
Por, Fatmir Xhelili thotë se Kuvendi dhe Qeveri janë penguar fillimisht nga koalicioni VLAN e pastaj nga veprimet e opozitës. Për këtë arsye, ai thotë se duhet japim edhe një shans për punë dy institucioneve – legjislativit dhe Ekzekutivit.
“Nuk duhet të ngutemi të shkojmë në zgjedhje. Duhet t’i japim edhe një shans Kuvendit dhe Qeverisë për me vazhdu punën. Zgjedhjet faktikisht nuk besoj se janë zgjidhje për këtë moment”, ka shtuar ai.
Sipas tij, pavarësisht qëndrimeve individuale, udhëheqja e PDK’së është për vazhdimin e koalicionit. Ka paralajmëruar se partia e tij nuk do të marrë vendim njëanshëm për të shkuar në zgjedhje.
“Në qoftë se merret vendim për të shkaur në zgjedhje, atëherë, ne bashkë me partnerin ek aolcionit do të marrim vendim. Nuk besoj se PDK merr vendim njëanshëm për të shkuar në zgjedhje”, ka deklaruar ai.
Xhelili ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës se ka menaxhuar keq me demarkacionin dhe ka lejuar që kjo çështje të bëhet pseudokauzë e opozitës për të akuzuar pushtetin.
PDK e LDK po i mbushin dy vite prej se vendosën të bëhen bashkë në Qeveri. Premtimet për 200 mijë vende pune, liberalizim të vizave, arsim e shëndetësi cilësore s’janë realizuar


