Kah po shkon PDK-ja me Kamishin, Shukri Bujën dhe Hysni Kilen

PUBLIKUAR

Në vend të reformimit të saj, PDK-ja po shkon drejt antireformimit, duke pasur frikën se reformimi mund të shkaktoj fundin e saj.

InfoPress / Nehat Shaqiri

Partisë Demokratike të Kosovës, siç duket nuk po i shkojnë punët edhe aq mirë. Bekim Haxhiu – Kamishi, Shukri Buja, Hysni Kila e disa të tjerë, këtë parti do ta kthejnë sikur në vitin 2000, kur PDK-ja u mposhtke sa herë që kishe zgjedhje parlamentare.

Analisti politik Faik Krasniqi, thotë se, janë disa pyetje që duhet të shtrohen para së të flitet për, siç i quan ai, mbeturinat brenda PDK-së, të cilët nuk e kanë vendin j vetëm brenda kësaj partie, por edhe brenda skenës politike në Kosovë.

“Ardhja e Kadri Veselit në krye të PDK-së a solli diçka të re? Çfarë solli ai diçka të re në skenën politike të Kosovës. Çfarë ndryshojë përbrenda PDK-së? Para se të vinte në krye të partisë, a kishte z. Veseli një plan për të ndryshuar diçka për të mirë, së pari brenda PDK-së dhe në gjithë Kosovën? Cila ka qenë analiza e tij për situatën e krijuar në Kosovë pas afro 17 vitesh lufte, e tetë vitesh pavarësie të brishtë? Çfarë mësime kishte nxjerrë ai nga përvoja e hidhur e dështimeve të rënda të gjitha partive që ishin deri më tash në pushtet në Kosovë në ligj rend, ekonomi, papunësi, investime të huaja, korrupsionin endemik dhe krim të organizuar? Çfarë do të bëjë ai në lidhje me liberalizimin e vizave, apo qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të ngelin akoma më të izoluarit në Evropë? Do t’i arrestojë njerëz të profilit të lartë, gjë të cilën e ka vënë si kush BE-ja për liberalizim të vizave, apo do t’i sakrifikojë qytetarët e Kosovës nga e drejta për të lëvizur lirshëm nëpër shtetet e BE-së, për hir të shokëve që duhet të shkojnë në burg?”, pyet Krasniqi.

Madje, sipas Krasniqit, një premtim për liberalizim të vizave e bëri gjatë vizitës së z. Hahn në Kosovë, ku tha që këto dy kushte së shpejti do t’i përmbushim dhe së shpejti qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Schengen.

“Na kujtohet të gjithëve kur para gati një viti bëri një deklaratë bombastike kur tha që BE-ja qytetarëve të Kosovës t’ua heqin vizat, kurse politikanëve që janë fajtorët për çdo të keqe që i ka ndodhur këtij vendi, t’ua vënë vizat. Nëse z. Kadri Veseli do që të ndryshojë diçka për të mirë dhe të distancohet nga keq-qeverisja e deritanishme, e paraardhësit të tij Hashim Thaçit, ai pikë së pari duhet ta pastrojë partinë e tij nga njerëz të tipit kauboj. Përndryshe, z. Veseli deri më tash na e ka dëshmuar se është vetëm vazhdimësi e Hashim Thaçit, pavarësisht se patë premtuar që do të punojë fortë për ta ndryshuar gjendjen e rëndë në Kosovë”, thotë Krasniqi për Gazetën InfoPress.

Në anën tjetër, Faton Mehmeti analist politik, shprehet se, PDK-ja po ndodhet në prag të krizës më të madhe të saj që nga themelimi. Sipas tij, refuzimi i disa zyrtarëve të PDK-së për tu bërë deputet shpjegon më së miri ndasitë që ekzistojnë mes klanit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Me hamendësimet që Gjykata Speciale mund të godas figurat më të larta të PDK-së, ka ngjallur apetitet e disa figurave brenda kësaj partie siç janë, Shukri Buja, Bekim Haxhiu dhe disa të tjerë për të marrë postin e të parit të PDK-së, në rast se Kadri Veseli gjendet përballë drejtësisë. Kemi të bëjme me një luftë pa zë brenda PDK-së, dhe zërat për të prishur koalicionin me LDK-në shpjegohen me idenë e disa zyrtarëve të PDK-së, për rikthimin në gjenezë të partisë, si parti anti LDK, për të dëmtuar këtë të fundit si kundërshtarin më të fortë dhe të përafërt për pushtet”, thotë Mehmeti për Gazetën InfoPress.

Ai shton se, me këtë po tentohet të rikthehet PDK-ja në vitet 2000, si parti e dal nga ish UÇK-ja për t’i rënë borisë se “ne jemi më të mirët dhe të tjerët, në këtë rast LDK-ja është armike”. “Në vend të reformimit të saj, PDK-ja po shkon drejt antireformimit, duke pasur frikën se reformimi mund të shkaktoj fundin e saj. Ndonëse në demokracitë e avancuara vetëm reformimi sado i dhimbshëm i shërben të ardhmes, në një shoqëri të ndritur. Mbetet të shihet se sa do i rezistoj PDK-ja stuhisë së fillimit të vitit 2017 me Gjykatën Speciale dhe zgjedhjeve, që me gjasë do të mbahen në pranverën e ardhshme”, shprehet Mehmeti.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Arbër Gashi, thotë se, a do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, kjo varet kryekëput nga interesat politike, ekonomike dhe disa zhvillime tjera që pritet të ndodhin. “Përveç interesave për pushtetmbajtje, koalicionin qeverisës e kanë mbërthyer edhe interesat tjera, siç janë p.sh.: kandidaturat e kontestuara, ballafaqimi me Gjykatën Speciale dhe frika nga përgjegjësia. Kjo e fundit, është alfa dhe omega e luftës për pushtetin e PDK-së. E kaluara na mëson, se ky subjekt, në rast të ballafaqimit me përgjegjësinë, i hedh në shportën e mbeturinave parimet e proklamuara. Qëllimi i arsyeton mjetet, kjo është PDK-ja, subjekti që e katandisi Kosovën buzë greminës, duke i lënë vendit trashëgimi, dy Marrëveshjet e kontestuara dhe vrasjet e pasqaruara”, pohon ai./InfoPress/

SHIKO MË SHUMË

Haxhiu pranon dekretin për Ligjin e Byrosë, nis faza e zbatimit

Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka pranuar nga Presidenca dekretin për...

Presidentja pret Prattipatin, flasin për zhvillimet politike: Kosova e përkushtuar në marrëdhëniet me SHBA’të

Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë...

Erërat e forta shkaktojnë dëme në disa objekte, komuna apelon për kujdes

Erërat e forta kanë shkaktuar dëme në disa objekte në Drenas, duke paraqitur rrezik...