Debati për vlerat e luftës në Kuvendin e Kosovës gati sa nuk eskaloi në përplasje fizike, mes deputetit të PDK-së Nuredin Lushtaku dhe atij të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, pasi ky i fundit filloi të lexoj një pjesë nga letra që kryetari i dënuar i Skenderajt Sami Lushtaku kishte shkruar nga burgu, në të cilën ai flet rreth dënimit të tij dhe “kontributit” të bashkë partiakëve të tij në këtë proces.
Pavarësisht këtij incidenti, debatit të ashpër dhe akuzave të rënda mes deputetve, është paralajmëruar që seanca e jashtëzakonshme e filluar dje të vazhdoj edhe sot nga ora 10:00.
Pritet që të miratohet një rezolutë për vlerat e luftës së UÇK-së, në të cilën thuhet se “Kuvendi i Kosovës zotohet që brenda gjashtë muajve do ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim”.
Kërkesën për organizimin e këtij debati, e kishin bërë grupi parlamentar i PDK-së, pas konfirmimt dënimit me burg për rastin “Drenica” nga Gjykata e Apeli, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për mos ndërhyrje të politikës në vendimet e gjykatave./insajderi.com


