Tri aksidente fatale me katër të vdekur dhe 42 të tjera me persona të lënduar, është bilanci i aksidenteve në tri ditët e fundit që kanë ndodhur në territorin e Kosovës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tri aksidentet e fundit fatale kanë ndodhur: një në fshatin Gracë e Vogël e Lipjanit, një në Sekiraqë dhe një në Budrige të Gjilanit, raporton Indeksonline.
Të dhënat e policisë tregojnë se përveç numrit të madh të aksidenteve fatale dhe atyre me lëndime, brenda tri ditëve të fundit kanë ndodhur edhe 88 aksidente të tjera me dëme materiale.
Ndërsa ndaj të gjithë pjesëmarrësve të cilët kanë thyer rregullat e komunikacionit, brenda kësaj periudhe të shkurtër kohore policia ka shqiptuar gjithsej 2807 gjoba kundërvajtëse.
Ekspertët e komunikacionit, kanë thënë se gjatë stinës së vjeshtës rrugët janë të lagura dhe dukshmëria është e zvogëluar prandaj duhet të këtë kujdes gjatë ngasjes së automjeteve në trafik./Indeksonline/


