Valon Murtezaj ka reaguar ndaj lajmit ku bëhet e ditur se Ministria e Jashtme, me anë të një tenderi ka blerë një telefon të mençur për Zëvendësministrin e MPJ’së. Murtezaj ka thënë se nuk është e vërtetë që telefoni është blerë për të. Gazeta Express ka publikuar dokumentin ku bëhet e ditur se MPJ ka blerë telefon në vlerë prej 1 mijë eurosh për zyrtarin e saj, por kjo si duket është bërë për Zv.Ministrin tjetër Emanuel Demaj.
Ky është reagimi i Murtezajt, i cili ka mohuar se shteti i ka blerë telefon, ndërkohë që ka theksuar se atij vetëm i mbulohen shpenzimet.
Reagim ndaj lajmit në portalin e Gazetës Express
Sapo e lexova në portalin e Gazetes Express lajmin me titull: Shteti e bën Murtezajn me telefon të mençur – kushton 1 mijë euro (Dokument).
Aty thuhet se : Ministria ku ai punon i ka blerë telefon në vlerën e afro 1 mijë eurove.
Me këtë rast dua të siguroj opinionin e gjërë se kjo nuk është e vërtetë.
Në punën dhe aktivitetin tim shërbehem me telefonin tim privat, dhe shteti i Kosovës paguan vetëm për shpenzimet të cilat janë minimale.
Për të gjitha këto ju lutem ti referoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme për sqarime të mëtejme.
Ndërsa nga Gazeta Express pres gjestin e korrektësisë për të kërkuar falje.
Faleminderit shumë.
I juaji,
Valoni


