Drejtori për Buxhet dhe Financa në Lipjan, Shkelzen Hajdini përmes llogarisë së tij në Facebook ka reaguar kundër OJQ YAHR-it duke thënë se sondazhi i publikuar nga YAHR-ri ditë më parë në disa portale nuk është i besueshëm. Siç ceket edhe nga vetë përfaqësuesi i kësaj organizate, ai ka intervistuar vetëm 51 respodent.
Ndërkaq, kjo OJQ sondazhin e kishte realizuar gjatë periudhës 15 – 19 gusht 2016 në Komunën e Lipjanit dhe në atë të Shtimes
Postimi i plotë i Shkelzen Hajdinit:
Perceptimi i mirë për Komunën e Lipjanit nuk mund të ndryshohet nga një sondazh me të cilin janë anketuar vetëm 51 persona. Sondazhi i publikuar nga OJQ YAHR ditë më parë në disa portale nuk është i besueshëm. Siç ceket edhe nga vetë përfaqësuesi i kësaj organizate, ai ka intervistuar vetëm 51 respodent. Nga ky numër i vogël është e pamundur të nxirret një rezultat i besueshëm, duke marrë parasysh që komuna e Lipjanit numëron afërsisht 60,000 banorë.
Numri kaq i vogël i personave të anketuar lë hapësirë për të përzgjedhur të anketuarit dhe për të nxjerrë rezultate sipas dëshirës. Këso lloj sondazhesh mund të zhvilloj kushdo që është i shqetësuar me rezultatet e mira të Komunës dhe tenton që me çdo kusht të shtrembëroj realitetin. Madje, dikush mund të nxjerr perceptim edhe më të keq ose në anën tjetër shumë të mirë për cilindo që dëshiron.
Në raportet dhe sondazhet e mirëfillta të bëra nga organizatat e besueshme ndërkombëtare si dhe vendore, Komuna e Lipjanit renditet ndër komunat e para në nivel vendi për luftimin e korrupsionit dhe për kënaqshmërinë e qytetarëve me Kryetarin e Komunës dhe me qeverisjen lokale.
Komuna e Lipjanit ka ndërmarrë hapa konkret për luftimin e korrupsionit dhe për sigurimin e një qeverisje të mirë.
Kryetari i Komunës së Lipjanit ka kërkuar publikisht nga qytetarët që të raportojnë korrupsionin dhe ka ofruar shpërblim prej 2000 euro.
Komuna e Lipjanit ka aprovuar planin e veprimit anti- korrupsion, strategjinë dhe planin e veprimit për transparencë, ka nënshkruar kontratë me shoqërinë civile për monitorimin e të gjitha aktiviteteve komunale, ka rritur kontrollin e brendshëm financiar dhe ka ndërmarrë dhjetëra aktivitete të tjera.
Në fund, edhe përkundër tendencave që të dezinformohet opinioni dhe të tentohet të krijohet një opinion i gabuar, për qëllime të ndryshme, garantojmë qytetarët se Komuna e Lipjanit do të vazhdoj të qeverisë me përgjegjësi dhe sipas ligjit.
Ne foto gjeni sondazhin e zhvilluar nga UNDP ku 93.5% e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me Kryetarin Imri Ahmeti.(sic)


