Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se partia që përfaqëson nuk ndjehet nën presion të sondazhit të fundit të fuqisë së partive politike.
Ajo ka deklaruar se ai sondazh mund të jetë pak i besueshëm sepse është porositur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe se në fakt të gjitha partitë politike kanë arsye për të qenë të shqetësuar për gjendjen brenda tyre, por LDK nuk ka arsye për të besuar që ka krizë të theksuar, njofton Klan Kosova.
“Nuk e di pse sondazhet bëhen në këtë kohë, kur nuk kemi paralajmërim zyrtar për mbajtje të zgjedhjeve. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka ndonjë ndjenjë paniku, sepse të gjitha argumentet çojnë në atë se është sponsorizuar nga Lëvizja Vetëvendosje”.
“Ne si vend jemi duke u përballur me dy çështje të mëdha që po na e marrin të gjithë kohën. Këto sondazhe nuk janë brengosëse vetëm për LDK-në. Mendoj që të gjitha partitë politike duhet të jenë të brengosura për gjendjen brenda tyre. Krizë të theksuar nuk ka, por pakënaqësi ka në të gjithë Kosovën, ndaj ka edhe në LDK”.
“Nuk janë vetëm partitë politike në pushtet që janë të thirrura për të kryer gjithçka. Të gjithë duhet ta bëjnë punën e tyre. Fatkeqësisht mesa po shoh, nuk po bëhet punë siç duhet. Nga ajo që kam njohuri, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka bërë një sondazh të këtij lloji”.
Sipas Tërmkollit problemet më të mëdha i ka Partia Demokratike e Kosovës, pasi siç ka thënë shumë zyrtarë të kësaj partie gjenden nën hetime.
“Partia Demokratike e Kosovës për shembull është duke u përballur me probleme të mëdha. Ndaj nuk e di si mund të thuhet për një parti të tillë që është e para”.


