Vazhdon “beteja” për Demarkacionin

PUBLIKUAR

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi mund të rikthehet nga Qeveria e Kosovës në Kuvend për votim. Javën e kaluar, në emër të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tërhoqi këtë projektligj nga shqyrtimi dhe votimi parlamentar për arsye të ndryshme.

Ndër kryesoret ishin mungesa e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend, çka i pamundësonte koalicionit të siguronte 80 votat e nevojshme për ratifikim, si dhe kundërshtimet e ashpra të opozitës dhe kujdesi i treguar i kryeministrit për ruajtjen e gjendjes së sigurisë në vend.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në Kosovë po shihet nga dy perspektiva. E para, ajo e koalicionit qeverisës, sipas së cilës, kjo është një marrëveshje të drejtë sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe është e domosdoshme për fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kurse nga perspektiva e opozitës, po shihet si marrëveshje jo e drejtë që i humb Kosovës një territor prej mbi 8 mijë hektarësh.

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dështimi eventual i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje do të hap shumë dilema, të cilat, sipas tij, nuk do të kenë përgjigje në Kosovë, por vetëm në Bruksel.

Ratifikimi i Demarkacionit, sipas ministrit Çollakut, mbetet kushti i fundit për heqjen e vizave dhe i cili nuk mund të anashkalohet nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Në rastin tonë, përkundër përparimeve të mëdha që janë bërë, përkundër hapave ligjor që janë ndërmarrë nga ana e Komisionit Evropian dhe përkundër faktit që kjo çështje do të trajtohet edhe në Komisionin e Parlamentit Evropian për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza, përderisa ne nuk i përmbushim të gjitha obligimet e parapara”, ka thënë Çollaku.

SHIKO MË SHUMË

Policia e Kosovës ia konfiskon armën me leje një personi në Shtime pasi shtiu me të gjatë një ahengu familjar

Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri, pasi me datën 07.11.2026, i dyshuari,...

Aleanca kritikon Qeverinë Kurti: Po e përmbyllni javën me shkelje e skandale

Aleanca, partia që tashmë e drejton nga Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës...

Presidenti i Malit të Zi i dërgon letër urimi presidentes Shiroka Pula

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i...