Abrashi: Demarkacioni kthehet në kuvend, shpejt

PUBLIKUAR

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, në emisionin Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka thënë se tërheqja e pikës për votimin e demarkacionit me Malin e Zi nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovë, të enjten, ka qenë veprimi më racional i mundshëm, për shkak të situatës.

Ai më tutje ka theksuar se kjo kohë duhet shfrytëzuar për shoshitje dhe ballafaqim të fakteve deri në shterje të tyre, njofton Klan Kosova.

“Ky ka qenë hap pragmatik dhe racional, duke marrë parasysh seancën e sotme, ku një numër i deputetëve ka qenë i shantazhuar dhe ka pasur nxitje publike për qytetarët. Është në funksion të komunikimit më të madh, debatit më të gjerë. Kemi menduar që përmes debateve të fundit, shoshitjes së fakteve të vazhdojmë përpara. Opozita e ka rritur profilin e kësaj çështje, që e tejkalojnë debatin parlamentar. Opozita i dërgon sinjale botës se ne kemi probleme me Malin e Zi”.

“Arsye kanë qenë edhe protestuesit jashtë, edhe pse mund të quhet protestë e dështuar. Nuk kanë qenë mbi 400 protestues para Kuvendit të Kosovës. Nuk besoj që ia kanë arritur qëllimit. Ne do të procedojmë me agjendën evropiane. Në afat rekord do ta risjellim këtë marrëveshje në kuvend. Kjo kohë nis nga java e ardhshme”.

Abrashi ka deklaruar se ka pasur shumë arsye pse kjo pikë u hoq nga rendi i ditës, ndër të cilat edhe mosgatishmëria e Listës Serbe për të qenë pjesë e seancës.

“Besoj që do t’i kontaktojmë ditëve në vijim serbët dhe të marrim vesh arsyet e tyre për mospjesëmarrje në seancën e Kuvendit të Kosovës. Nuk duhet që të futemi në kurthe të kushtëzimeve. Fatkeqësisht këtë gjë është duke e bërë opozita. Kërkesat ekskluzive po i bëjnë edhe partitë tjera të veprojnë ashtu”.

Zëdhënësi i qeverisë ka thënë se mosvotimi i demarkacionit të enjten është humbje për Kosovën, duke ritheksuar se për bindjen e tij marrëveshja është plotësisht e përputhshme kufijtë e vendit si ish republikë autonome brenda ish Jugosllavisë, njofton Klan Kosova.

SHIKO MË SHUMË

MAPL u kërkon tri komunave të emërojnë nënkryetarët për komunitete

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, iu është drejtuar me kërkesë zyrtare...

FSK nderon viktimat e 11 Shtatorit, flamujt ulen në gjysmë shtizë

Forca e Sigurisë së Kosovës ka ulur sot flamujt në gjysmë shtizë në të...

Gjuajtje me armë gjatë një ahengu në Shtime, konfiskohet një pistoletë

Gjatë mbrëmjes së djeshme rreth orës 21:25 policia e stacionit në Shtime është njoftuar...