Deklarata e Sekretarit Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Moliqaj se nëse VV vjen në pushtet do të ketë masa ekstreme ndaj bandave saqë do të tërhiqen zvarrë është publikuar pothuajse në të gjitha mediat, përfshirë edhe Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Por deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka sulmuar ashpër Drejtorin e RTK-së, Mentor Shala se nuk i ka pëlqyer titulli i lajmit të Molliqaj.
Haxhiu pretendon se titulli është shpifje dhe ka paralajmëruar Mentor Shalën se pasi të vijë VV në pushtet do të çlirojë edhe RTK-në, që nënkuptohet do të pushohen nga puna drejtuesit e administratës së Televizionit Publik.
“Vetëm shikoni se çfarë shpifje në titull nxjerrë televizioni që paguhet nga paratë e taksapaguesve tanë! Unë vetëm një porosi kam për ca argatë te kokave të krimit në RTK, duke nisur nga Mentor Shala. Menjëherë pas çlirimit të vendit nga këta kriminelet e pushtetit, radhën do ta ketë çlirimi i RTK-së nga njerezit e sojit tuaj, edhe ju do të përgjigjeni për zhvatjen që ja keni bërë parasë publike!” ka shkruar Albulena Haxhiu.
Ndërsa Dardan Molliqaj ka shprehur në emisionin televiziv Zona e Debatit, “Bandat kriminale si Grabovci dhe të tjerët, jo vetëm që do të arrestohen, por do të ngrehen zhag dhe do të ju konfiskohet e gjithë pasuria”/Gazeta Express


