Mustafa: Kufiri me Malin e Zi nuk caktohet sot, as në mbledhjen e 1 shtatorit

PUBLIKUAR

Kryeministri Isa Mustafa, thotë se Komisioni Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare nuk ka përcaktuar kufij të rinj, ka respektuar kufijtë në të cilët kemi shpallur pavarësinë.

Përmes një postimi në facebook, Mustafa ka thënë se “kufiri me Malin e Zi është ai në të cilin ka ndërhyrë Aleanca Veriatlantike në krye me SHBA-të, i definuar në Marrëveshjen e Kumanovës, i ‘vizatuar’ me Planin e Ahtisarit, i respektuar me Planin Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe me Planin Zhvillimor të Komunës së Pejës”, transmeton Telegrafi.

Lexojeni të plotë postimin e Mustafës:

“Kufiri me Malin e Zi është ai në të cilin ka ndërhyrë Aleanca Veriatlantike në krye me SHBA-të, i definuar në Marrëveshjen e Kumanovës, i “vizatuar” me Planin e Ahtisarit, i respektuar me Planin Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe me Planin Zhvillimor të Komunës së Pejës.

Komisioni Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare nuk ka përcaktuar kufij të rinj, ka respektuar kufijtë në të cilët kemi shpallur pavarësinë. Prandaj , garat me harta dhe me dokumentacion kadastral, ndërmjet Komisionit Shtetëror dhe disa ekspertëve që kanë marrë bajrakun për të treguar se cilët duhet të jenë kufijtë e Kosovës e humbin rëndësinë. Kufijtë për Kosovën janë caktuar kur është çliruar Kosova dhe kur është shpallur pavarësia. Nuk caktohen sot, as në mbledhjen e 1 Shtatorit.

Ne mund ta helmojmë opinionin me llojlloj “argumente”, mund edhe të kërcënojmë se kurrë nuk do të ratifikohet marrëveshja, por duhet të jemi realist se kufij tjerë të këtij shteti nuk do të ketë. Janë këta kufij që i njohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komuniteti ndërkombëtar.

Në deklaratat tona munda ta zgjerojmë Kosovën sipas orekseve dhe kuteve politike, por realiteti është se kufijtë ndërkombëtar nuk janë vullnet i vetëm një pale. Janë vullnet i dy palëve, i cili në rastin tonë është nënshkruar në nivel qeveritar, dhe vullnet i atyre që na kanë ndihmuar të çlirohemi, ta shpallim pavarësinë dhe po na përkrahin në shtetndërtim.

Ne duhet të ndihemi të nderuar dhe të respektuar që me çështjet tona merret edhe zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA nuk i kanë borxh Kosovës, ne u kemi borxh Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar për gjithë atë që e bënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës përfshirë edhe viktimat njerëzore të tyre.

Asnjëri nga deputetët dhe ne qeveritarët nuk është aq i ri sa mos të kujtojë kohën e luftës dhe apelin që të na ndihmojë bashkësia ndërkombëtare. IM”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Djali i Afrim Bunjakut dhe ai i Enver Zymerit diplomojnë në gjeneratën e re të Policisë së Kosovës

Jetlum Bunjaku dhe Sokol Zymeri, djemtë e heronjve Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri, dy...

Vrau Diana Kastratin, Policia publikon foton e Adnon Jasharit, kërkon ndihmë për gjetjen e tij

Policia e Kosovës, ka publikuar fotografinë e Adnon Jasharit, duke kërkuar ndihmë nga qytetarët...

Arrestohet një grua në Fushë-Kosovë, kërcënoi një burrë pas një mosmarrëveshjeje

Një grua është arrestuar në Fushë-Kosovë, pasi dyshohet se ka kanosur një burrë pas...