S’ka vullnet politik për kapjen e “peshqve të mëdhenj”

PUBLIKUAR

11

Drejtori ekzekutiv i fondacionit “Rockfeller Brothers” për Ballkanin, Haki Abazi, ka theksuar se institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare kanë proklamuar vazhdimisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit të lartë për më shumë se gjashtë vite, por ka munguar vullneti politik për të realizuar një gjë të tillë. Abazi nuk beson se “ka ardhur koha e Sanaderizimit të Kosovës, sepse për të ndodhur një gjë e tillë do të duhej që disa akterë të skenës politike të ngrisin aktakuza, apo edhe të arrestojnë veten e tyre, dhe kjo nuk ka ndodhur në asnjë sistem dhe nuk do të ndodhë as në Kosovë”.

Duke e komentuar mekanizmin e ri të krijuar nga Prokuroria e Shtetit për të shënjestruar 50 rastet më të rënda në sistemin e drejtësisë (kapjen e peshqve të mëdhenj), Haki Abazi në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se në Kosovë vazhdimisht ka pasur tentime për ta luftuar korrupsionin, meqë janë krijuar, sipas tij, komisione antikorrupsion në nivele të ndryshme – përfshirë presidenten dhe kryeministrin.

“Mirëpo, vullnet politik, nuk ka pasur një gjë të tillë. Veçanërisht ka munguar hapësira për veprimin e shtetit ligjor. Është pak e besueshme që institucionet kosovare, në përbërjen që janë në këtë moment, me këtë vakum institucional dhe me një sistem gjyqësorë plotësisht te papërgatitur dhe të kapur nga politika, të bëjnë çfarëdo hapi në drejtim të arrestimit te ‘peshqve te mëdhenj”, ka thënë Abazi për Telegrafin.

Ai më tej ka theksuar se ndarja e pushteteve ka qenë dhe mbetet një ndër sfidat kryesore të funksionimit të shtetit të Kosovës.

Sipas tij, tani që nuk e kemi të konstituuar Kuvendin e Kosovës, kapja e “peshqve të mëdhenj” është goxha e vështirë, duke ia shtuar kësaj edhe faktin se “për momentin nuk mund të ketë kërkesa për krijimin e komisioneve hetimore parlamentare”.

“Sikur në rastin e 40 të arrestuarve të dyshuar për terrorizëm, arrestimet eventuale të ‘peshqve të mëdhenj’ do të ishin të pamenduara mirë dhe do të përdoreshin për poena politike. Nuk e besoj që ka ardhur koha e Sanaderizimit të Kosovës, sepse për të ndodhur një gjë e tillë do të duhej që disa akterë të skenës politike të ngrisin aktakuza, apo edhe të arrestojnë veten e tyre, dhe kjo nuk ka ndodhur në asnjë sistem dhe nuk do të ndodhë as në Kosovë”, ka thënë Abazi për Telegrafin.

Drejtori ekzekutiv i fondacionit “Rockfeller Brothers” për Ballkanin, ka theksuar se “nga presioni i jashtëm, i cili mund të bie mbi institucionet e Kosovës, e sidomos nga mesazhi që kancelarja gjermane Angela Merkel e dha në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor javën e kaluar në Berlin, ekziston rrezik shumë i madh që ‘peshqit e mëdhenj dhe të vegjël’ të krijohen me çdo kusht për të larguar vëmendjen dhe për te zhvendosur përgjegjësinë”.

“Çdo arrestim, i cili mund të bëhet pa përfshirë hetuesinë e pavarur dhe pa shkëputur zinxhirin e përgjegjësisë, siç ishte rasti i pasaportave më herët, mund të jetë një orkestrim i radhës për të përmbushur normat e arrestimit. Fatmirësisht që shoqëria civile, mediat dhe përfaqësuesit diplomatik nuk janë të heshtur dhe miratues të këtyre aksioneve kozmetike. Në anën tjetër, një veprim sipërfaqësor i institucioneve të drejtësisë dhe rendit do ta përshkallëzonte ndarjen dhe tensionin edhe ashtu të rritur në vend”, konstatoi Abazi. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Qytetarët vërshojnë Skenderajn për Sami Lushtakun (VIDEO)

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Skenderaj, njofton Klan Kosova. Aty kryetari i Skenderajt, Sami...

Sami Lushtaku pritet të interivstohet në Policinë e Skenderajt, OVL e UÇK-veteranëve: Nisuni, kërkohet unitet

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dalë me një thirrje për qytetarët...

Vdes Alush Gashi, ish-ministri i Shëndetësisë dhe një nga themeluesit e LDK-së

Ka vdekur Alush Gashi, ish-ministri i Shëndetësisë dhe njëherit ndër themeluesit e LDK. Njoftimi...