humë qytetarë nga Tetova emrat e të cilëve ndodhen në listën e votuesve të dyshimtë në ueb faqen e KSHZ-së, kanë mbetur të habitur kur kanë parë të dhënat e tyre në listë. Madje, disa prej tyre këtë gjë e kuptuan gjatë inspektimit të Alsat në terren. Ata sqarojnë se nuk kanë ndërruar asnjëherë adresën e banimit dhe nuk e kanë të qartë pse u kontestohet e drejta e votës.
“Unë prej 91- shën jam anëtar i këshillit votues, kryetar këshilli zv/kryetar dhe të mos jem në listë çudi! Asnjëherë nuk kam qenë jashtë, në botën e jashtme , arsimtar kam qenë 42 vjet , si ta komentoj këtë gjendje? Punë dallaveresh është kjo”, tha Abdil Useini, Neproshten. “Jam habitur pa kufi, menjëherë u pyeta pse ? Seriozisht tash marrë vesh dhe më vjen keq. Adresë nuk kam ndërruar asnjëherë , kjo është adresa jonë”, tha Abdilnaser Bafqari, Komura e Tearcës.
“Tani kam 86 vjet, unë e kam ditur se gjithçka e kam në rregull, si mundet të ndodhë kjo. Neve shqiptarëve na heqin prej liste , nuk e di a njerëzit tanë a të tjerët na heqin . Unë në këtë fshat gjendem, nuk e kam ndërruar asnjëherë vendbanimin. Por unë do shkoj, do e rregullojë këtë punë”, u shpreh banor i Komunës së Tearcës.
Në listën e votuesve të dyshimtë ndodhet edhe profesori nga Tetova Arsim Sinani. Ai, akuzon BDI-në për problemet që iu shkaktoi shqiptarëve lista me 40 mijë votuesit e dyshimtë shumica prej të cilëve janë shqiptarë.
Qytetarët të cilët gjenden në listën e votuesve të dyshimtë, do të duhet të paraqiten në njësitë rajonale të KSHZ-së dhe në zyrat e Drejtorisë për libra amë deri më 16 gusht për të konfirmuar të drejtën e tyre të votës./Alsat/


