Administrata e Komunës së Fushë Kosovës që nga nëntori i vitit 2012 është duke zhvilluar aktivitetet e saja në një objekt me qera, pasi që objekti ku ishte e vendosur më parë u privatizua.
E objekti i ri në të cilin do të vendoset administrata ende është duke u ndërtuar, projekt të cilin e ka financuar Komisioni Evropian. Mirëpo, vonesat në ndërtimin e objektit të ri, komunës i kanë kushtuar me mijëra euro qera, transmeton Indeksonline.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli ka thënë për Indeksonline se punimet janë duke vazhduar akoma dhe se mbetet të shihet nëse punimet do të kryhen në afatin e paraparë.
“Në ndërtesën e re të Komunës janë duke vazhduar punimet dhe është në kompetencën e donatorëve dhe të kompanisë për afatet kohore të përfundimit”, ka thënë Topalli.
Ai ka theksuar se obligim i Komunës ka qenë vetëm gjetja e lokacionit, duke treguar shumën e lartë të qerasë që po paguan komuna tash e gati katër vite.
“E jona ka qenë vetëm të sigurohet lokacioni dhe asgjë më shumë. Shuma që paguan komuna kalon shifrën e mbi 15 mijë euro në muaj”, ka thënë tutje Topalli.
Andaj, nëse llogariten 44 muaj sa i bie nga nëntori i vitit 2012 e deri në qershor të këtij viti, komuna ka paguar qera hiq më pak se 660 mijë euro.


