Samiti i Parisit, pas BREXIT-it: Hollande pret kryeministrat e Ballkanit

PUBLIKUAR

Emigracioni, çështjet e sigurisë – përfshirë këtu luftën kundër ekstremizmit – punësimi, rritja ekonomike dhe bashkëpunimi mes të rinjve, do të jenë çështjet që do të diskutohen në Samitin e Parisit, i cili vjen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, një nismë e ndërmarrë tre vite më parë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Është ky një proces, i cili kërkon të afrojë sa më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke stimuluar bashkëpunimin mes vendeve, por edhe duke financuar projekte konkrete në infrastrukturë.

Por, këtë herë ky samit vjen në një kohë kur BE-ja është duke u përballur me problemet e saj të brendshme, pas referendumit për daljen e Britanisë nga unioni. E, duket se ky zhvillim do të ketë ndikim edhe në tryezën e Parisit.

Megjithatë, ndryshe nga dy samitet e mëparshme, këtë herë fokusi është vendosur më së shumti te bashkëpunimi i të rinjve, pa lënë mënjanë edhe investimet në infrastrukturë.

Në Paris do të nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, nismë kjo e kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Serbisë. Ajo do të ketë selinë në Tiranë dhe Komisioni Evropian do të japë një milion euro, ndërsa do të paraqitet edhe skema e re pilote për pesë nëpunës civilë të rinj nga çdo vend i Ballkanit Perëndimor.

I pranishëm në këtë samit, Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, pritet të zhvillojë një takim me gjashtë ministrat e Jashtëm të rajonit, ku ndër të tjera do të diskutojë edhe veprimet konkrete të ndërmarra për zgjerimin e Bashkimit Europian.

Duke u ndalur tek investimet, pritet që në Paris të miratohen tre projekte gjithsej, ndër të cilat ato tonat për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit Tiranë-Rinas. Po ashtu edhe projekti hekurudhor i Serbisë dhe ai i Kosovës. /Top Channel/

SHIKO MË SHUMË

Kolona jo të gjata në kufi me Kosovën

Pritjet jo të gjata për të dalë nga Kosova janë regjistruar në pikëkalimet kufitare...

Inspektorati në aksion, gjobat deri në 9 mijë euro për udhërrëfyesit turistikë pa licencë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet ndaj udhërrëfyesve turistikë që...

Pacolli nënshkruan marrëveshje për banim social, Gjakova përfiton 1.5 milionë euro

Ministrja Fitore Pacolli dhe nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj, kanë nënshkruar marrëveshjen...