Jahjaga dhe Ashton: Dialogu duhet të vazhdojë

PUBLIKUAR

jahjaga-dhe-ashton-dialogu-duhet-t-euml-vazhdoj-euml_hd (1)

Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të vazhdojë. Kështu kanë theksuar sot presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, gjatë një takimi që kanë zhvilluar në Austri, ku po marrinë pjesë në punimet e forumit Evropian Alpbach.

Të dyja, sipas një njoftimi të Presidencës, kanë biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit, si dhe procesin e dialogut dhe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas këtij njoftimi, Jahjaga dhe Ashton kanë vlerësuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e BE-së, që sipas tyre do të ndihmojë të dyja vendet në procesin e përafrimit me BE-në dhe do t’i kontribuojë paqes dhe stabitetit në rajon, si dhe do të lehtësojë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.

Sipas këtij njoftimi, Jahjaga, citohet të ketë thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun, sepse e sheh si të vetmen mënyrë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por shtoi se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut në Bruksel duhet të zbatohen. Ajo theksoi se zbatimi i marrëveshjeve duhet të ndihmojë edhe në qarkullimin e lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Presidentja po ashtu tha se perspektiva evropiane për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit duhet të jetë e hapur, sepse kjo do të ndihmojë edhe në përmbushjen e reformave të brendshme. Ajo ka thënë se Kosova ka shënuar një hap përpara në rrugën evropiane përmes inicializimit të MSA-së, por theksoi nevojën e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave, që do t’u ndihmojë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në vendet e BE-së sikur të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, deklaroi se rajoni i Ballkanit, përfshirë Kosovën, ka shënuar përparime në vitet e fundit, por duhet ende punë për të përmbushur standardet e kërkuara në procesin e integrimit. Ajo tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, meqë kjo do t’u ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Ky është çmimi i naftës për ditën e sotme

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimin e naftës për ditën e...

Policia shqipton 2 mijë e 300 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës ka shqiptuar 2301 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve...

Të shtëna me armë në një aheng në Obiliq, sekuestrohen 27 gëzhoja

Një burrë është arrestuar në rrugën “Raif Krasniqi” në Obiliq, nën dyshimin se ka...