Vedat Xhymshiti, korrespondent lufte, në një intervistë ekskluzive për Javanews, bën një autopsi të konfliktit sirian, se përse shqiptarët u përfshinë në këtë konflikt të përgjakshëm.
Xhymshiti komenton edhe rreth asaj se cilat janë interesat gjeostrategjike të fuqive të mëdha si SHBA dhe Rusi në Siri.
“Në luftë njerëzit vdesin. Aty ata vrasin njëri- tjetrin. Pavarësisht statistikave të viktimave, pavarësisht mënyrës se si ata vriten. Një luftë nuk mund të konsiderohet më shumë apo më pak e përgjakshme se lufta A, B, apo C. Konflikti në Siri nuk ka përfunduar, ngaqë aty kanë ndërhyrë fuqitë Perëndimore, të cilat qartësisht kanë treguar ambicie pushtuese të tokës së Sirisë”, thotë ndër tjerash ai.
Sipas tij, konflikti në Siri do të vazhdoj deri në një moment kur SHBA-të dhe aleatët e tyre, do të tërhiqen nga ambiciet për të pushtuar tokën siriane.
“Forcat terroriste janë qartësisht të furnizuara me logjistikë njerëzore dhe ushtarake nga Perëndimi. Kjo pohohet edhe nga C. A. R., [Conflict Armament Research Centre] me seli në Londër, e cila ka gjurmuar numrat serik të armëve të përdorura nga ISIS dhe grupe tjera terroriste në Siri. Ato armë rezultojnë se janë kontraktuar nga shërbimet e fshehta të SHBA-së dhe Arabisë Saudite. Makineria ushtarake e ISIS është e tipit ‘Toyota’ sikurse edhe ‘Hamveetë’ e ushtrisë amerikane që [gjoja] janë kapur në kampet e braktisura ushtarake në Irak. ISIS nuk posedon fabrika makinash ose armësh. Prodhuesit dhe eksportuesit kryesor të armëve në Lindje të Mesme janë SHBA-të dhe aleatët e tyre Perëndimor”, vlerëson Xhymshiti.
Ai ka folur edhe rreth thelbit të konfliktit dhe rreth palëve të përfshira, përkatësisht interesave që ato përfaqësojnë.
“Populli sirian u kryengrit si rezultat i shtypjes së të drejtave të tyre civile dhe politike nga qeveria në Damask. Dhe ndërhyrja e menjëhershme e Arabisë Saudite dhe SHBA-ve madje edhe mediave të axhendave qeveritare, të cilat u përpoqën me çdo kusht ta paraqesin atë si një luftë sektare, gjë që nuk kishte kuptim dhe nuk ishte aspak e vërtetë. Njerëzit thjeshtë donin që liritë e tyre te respektoheshin me përmbajtje të plotë”.
“Gjetjet po sugjerojnë që ata [ISIS] – nuk janë hiç gjë më shumë se mercenarë të paguar nga paratë e miqve të zellshëm të [1]Oligarkëve në Uashington [siç tregon raporti i Universitetit Princeton] dhe vetë Uashingtoni zyrtar i përfshirë në mbjelljen e tyre kudo që kanë interes. Thelbi është i thjeshtë, Siria është fushëbetejë e Uashingtonit dhe aleatëve të tyre Perëndimor që duan të hapërojnë sa më afër Rusisë për ta pushtuar atë. Për ta pushtuar Ariun e madh, së pari duhet t’i dobësojnë veglat e tij mbrojtëse. Prandaj perëndimorët duhet të kalojnë nëpërmjet Sirisë dhe Iranit. Ndryshe [mbase!] nuk do të mund t’ia dalin”.
Korrespondenti shqiptar i luftës në Siri ka folur edhe rreth rolit të shqiptarëve në konfliktin sirian si dhe arsyeve të vërteta të përfshirjes së tyre në këtë konflikt të përgjakshëm.
Sipas tij, fillimisht shqiptarët janë thirrur nga politika në Prishtinë për t’u bashkuar në luftë kundër Asadit.
“Nëse e kujtoni Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, ai pati bërë një [2]thirrje në fund të Prillit 2012, për t’u bashkërenduar me qeverinë në Uashington kundër qeverisë në Damask. Pastaj, qeveria në Prishtinë e kontrolluar nga Uashingtoni, kanë lejuar veprimtarinë e disa organizatave të dyshimta të Sauditëve në Kosovë, të cilët kanë zgjeruar rrjetet e tyre, për të ndërtuar celula mercenarësh në emër të fesë, gjë që qartësisht s’ka të bëjë me të. Shqiptarët janë të përfshirë, pasi nuk kanë politikanë të dinjitetshëm t’i thonë jo politikës përulëse ndaj Uashingtonit për të ruajtur interesin tonë njerëzor, për të ruajtur fëmijët tanë nga projektet djallëzore mercenare që Uashingtoni vazhdimisht kërkon të zbatohen në kockat tona. Kam përshtypjen se politikanët tanë janë po aq mercenarë të paguar nga Uashingtoni sa edhe të tjerët të shndërruar në ushtarakë me gjak në duar. Ky është roli i tyre atje, këtu e kudo”, konsideron Xhymshiti.
Kush është Vedat Xhymshiti?
Ai është gazetar dhe korrespondent lufte i pavarur nga Kosova, me qëndrim në Londër.
Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri.
Shkrimet e tij janë botuar në media të ndryshme, duke përfshirë “Der Spiegel”, “Neë York Times”, “Le Monde” etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara dhe themelues i THEFrontliner.net.
Që nga fundi i vitit 2015 ai është duke ligjëruar në universitete të ndryshme britanike, lidhur me luftën civile në Republikën Arabe të Sirisë. /javanews.al/


