“Numri i shkollave me tri ndërrime kanë rënë në mënyrë drastike. Kemi shumë pak shkolla në Republikën e Kosovës, janë më pak se 16 shkolla të cilat punojnë me tri ndërrime”, ka shtuar Morina.
Ndërkohë, në shtator do të fillojë punën edhe Shkolla Model në Prishtinë. Morina, tha se kjo shkollë ka qenë investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bankës Botërore, e cila do të jetë shkollë e mesme e ulët, duke përfshirë edhe para fillorët. Ai tha se Shkolla Model tashmë ka kaluar në përgjegjësinë e komunës së Prishtinës.
“Ministria e Arsimit e ka ndjekur nga afër ndërtimin e kësaj shkolle dhe është përfunduar në mënyrë shumë të suksesshme. Sa i përket pjesës tjetër si psh, ndarja e orëve bartja e nxënësve se cilët nxënës do të shkojnë në atë shkollë, i përket drejtorisë komunale të arsimit në Komunën e Prishtinës, e cila është kompetente dhe ka të drejtë ligjore që të merret me sistematizimin shkollës”, ka nënvizuar Morina.
Objekti i Shkollës Model ka një sipërfaqe prej 5 mijë e 300 metra katrorë me kapacitet prej 1 e 440 nxënësish në dy ndërrime. Shkolla Model ndodhet në lokacionin e ish-Fabrikës së Tjegullave në lagjen “Xhamia e Llapit” në Prishtinë. Kjo shkollë ka dy klasa mësimi me hapësira përcjellëse për nivelin parafillor, dhjetë klasa mësimi dhe një laborator për nivelin fillor si dhe katër klasa mësimi dhe shtatë laboratorë për nivelin e mesëm të ulët. Po ashtu, ka hapësirë për sport, administratë dhe hapësirë tjetër përcjellëse. Ndërtimi i kësaj shkolle, që ka kushtuar 2 milionë e 48 mijë euro, është financuar 60 për qind nga Banka Botërore dhe 40 për qind nga Ministria e Arsimit.(RTK)



