Imri Ahmeti: S’kemi vija të kuqe, Koalicionet e mëdha, jo të favorshme!

PUBLIKUAR

Kryetari e Komunës së Lipjanit, dhe njëri prej udhëheqësve të LDK-së, Imeri Ahmeti thotë se pavarësisht përplasjes së disa individëve të PDK-së e LDK-së, koalicioni është duke funksionuar. Në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, Ahmeti thekson se edhe pse Thaçi tashmë nuk është drejtues i PDK-së, koalicioni do të funksionoj.

“Nuk besoj se është në interes të ndonjërit nga partneret e koalicionit të ndërpres marrëveshjen, sidomos tani kur nuk shoh klimë, atmosferë apo ambient të përshtatshëm për këtë”, ka theksuar Ahmeti.

Sipas tij, zgjidhja e krizës politike në Kosovë do të ndodhë vetëm përmes dialogut.

I pyetur ndërkaq, se nëse do të ketë zgjedhje të reja, me kënd do të hynte LDK në koalicion, ai ka theksuar se “në Kosovë, akoma demokracia është në embrion e sipër dhe e tashmja por edhe e kaluara nuk janë në favor të koalicioneve të mëdha parazgjedhore”.

Gazeta Blic: Z. Ahmeti, në një nga mbledhjet e fundit të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me kryetarët e komunave, Gazmend Muhaxheri kishte kërkuar përjashtimin e deputetëve që nuk e votuan Thaçin për president. Madje, edhe sot vazhdon të qëndroj prapa këtij propozimi. Si e shihni një ide të tillë, e mbështesni apo e kundërshtoni?

Imri Ahmeti: Kosova, ka punë shumë më të mëdha dhe me interes, sesa të merret me demonizimin e deputeteve te vet. Tek e fundit LDK, është parti e vlerave dhe mendimi ndryshe është vlerë. Ata njerëz për të cilët flisni i duhen LDK-së dhe Kosovës. Sjellja ndryshe në raport me qëndrimin e partisë megjithatë ka kufijtë e mospengimit të proceseve dhe në këtë rast nuk është penguar procesi.

Gazeta Blic: Si e shihni ju veprimin e deputetëve të LDK-së që nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e Thaçit president?

Imri Ahmeti: Vendimi i tyre  nuk mendoj se duhet të jetë temë, e cila duhet ta dominojë skenën mediatike në Kosovë.

Gazeta Blic: A mendoni se zgjedhja e Thaçit president do ta dëmtoj LDK-në, në zgjedhjet e ardhshme, kur dihet se elektorati i kësaj partie në vazhdimësi ka qenë edhe kundër koalicionit me PDK-në?

Imri Ahmeti: Në mes të mundshmes dhe të dëshirueshmes, ka një diferencë të madhe. Në skenën politike në Kosovë, asnjë parti politike nuk mund të fitoj të tri  pozitat kyçe në qeverisje. Elektorati i LDK-së, do të duhej ta kuptonte drejt këtë fakt, duke ditur gjithashtu se lidhja e koalicionit nënkupton edhe kompromise të caktuara. Të tilla kompromise kanë ndodhur edhe më parë edhe në kohën e presidentit Rugova. Tek e fundit zgjedhjet zakonisht kanë synim Qeverinë.

Gazeta Blic: Kohëve të fundit kemi parë përplasje ndërmjet PDK-së e LDK-së. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi tha se ministrat e LDK-së nuk kanë legjitimitet. Pas këtyre deklaratave, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se PDK është parti e natës e LDK, parti e ditës. Pse po ndodhin këto përplasje?

Imri Ahmeti: Qeverisja me koalicion bëhet me marrëveshje në mes partnereve të koalicionit. Me rëndësi është që të funksionoj qeverisja si tërësi, ndërsa zërat  mospajtues mund të konsiderohen normal në një shoqëri demokratike dhe koalicioni nuk determinon heshtjen dhe mbylljen e mundësive për kritika e mospajtime me synim te avancimit te qeverisjes.

imri-ahmeti

Gazeta Blic: A po rrezikohet funksionimi i koalicionit, pas shkuarjes së Hashim Thaçit president?

Imri Ahmeti: Bashkëqeverisja nënkupton marrjen e obligimeve nga partneret në koalicion. Nuk besoj se është në interes të ndonjërit nga partneret e koalicionit të ndërpres marrëveshjen, sidomos tani kur nuk shoh klimë, atmosferë apo ambient të përshtatshëm për këtë.

Gazeta Blic: Opozita paralajmëroi bojkot të Kuvendit. Si e komentoni këtë vendim të opozitës?

Imri Ahmeti: Nuk është në dobi të demokracisë as të zhvillimit të vendit. Përfundimisht nuk është rrugë e rentabilitetit as partiak as për shoqërinë si tërësi. Rruga e bojkotit dhe metodave të përdorura deri tash të zëvendësohet me dialog, argumentim, me krijim të mirëbesimit mes subjekteve, me tolerancën e durimit të mendimit ndryshe dhe me pranimin e parimeve bazë të demokracisë.

Gazeta Blic: Tash e sa muaj vendi është në krizë politike. Si e shihni daljen nga kjo situatë, zgjedhje apo cila është alternativa?

Imri Ahmeti: Insistimi mbi të drejtën time duke mos e respektuar fjalën e tjetrit, besoj se qon në totalitarizëm. Ne jetojmë në një shtet demokratik dhe demokracia ka rregulla të shkruara e të pashkruara. Sa më parë ta kuptojnë të gjithë këtë fakt, më shpejt mund të dalim nga kriza aktuale.

Gazeta Blic: Nëse do të ketë zgjedhje të reja, si do të garoj LDK, e vetme, me PDK-në, apo me ndonjë partner tjetër?

Imri Ahmeti:

Në Kosovë, akoma demokracia është në embrion e sipër dhe e tashmja por edhe e kaluara nuk janë në favor të koalicioneve të mëdha parazgjedhore.

Gazeta Blic: Kush është partner strategjik i LDK-së për formimin e qeverisë? A keni përjashtime apo vija të kuqe, siç e kishit PDK-në gjatë zgjedhjeve të fund apo të gjitha opsionet janë të hapura?

Imri Ahmeti: Mendoj se në Kosovë është shumë vështirë të parashihen koalicione apo partner te mundshëm deri sa të mos profilizohen partitë politike. Në një situatë të tashme mbetet rezultati paszgjedhor ai i cili imponon partneret e koalicionit. E sotmja, është tregues që nuk duhet të vendosen vija të kuqe.

SHIKO MË SHUMË

Dy raste me fruth në Lipjan

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill...

Daut Haradinaj viziton Bekim Metaj, vlerëson guximin e ish-ushtarit të UÇK-së

Në Magure të Lipjanit, Daut Haradinaj ka zhvilluar sot një vizitë te ish-ushtari i...

Lipjan: Rrahje pas debatit në trafik, policia u gjen armë e bisht sëpate të dyshuarve

Dy persona në Lipjan, kanë përfunduar në ndalim policor, pasi të njëjtit pas një...