Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me vendimin që një segment i Unazës së Arbërisë të emërtohet me emrin e diplomatit amerikan Frank G. Wisner, duke thënë se emri i ‘’mikut të madh të Kosovës, mbetet përjetësisht pjesë e Kryeqytetit’’.
Rama, ka shkruar edhe se, kryeqyteti do t’u jetë gjithmonë mirënjohës atyre që na qëndruan pranë në kohët më të vështira dhe na ndihmuan në rrugën drejt pavarësisë.
Postimi i plotë:
Prej sot, emri i ambasadorit Frank Wisner, mikut të madh të Kosovës, mbetet përjetësisht pjesë e Kryeqytetit.
Në nderim të kontributit të tij për çështjen e Kosovës, sot pritëm familjarët e tij në një seancë solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Me shumicë votash, Kuvendi vendosi që Unaza e Brendshme e Kryeqytetit të mbajë emrin e Frank Wisnerit.
Kryeqyteti do t’u jetë gjithmonë mirënjohës atyre që na qëndruan pranë në kohët më të vështira dhe na ndihmuan në rrugën drejt pavarësisë.


