Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pak më parë ka nisur seanca gjyqësore ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Sot do tq japë dëshminë e saj, Zejnie Morina.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 17 dhjetor 2025, Morina akuzohet se gjatë viteve 1998-1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, keqtrajtime dhe plaçkitje të popullsisë civile shqiptare në fshatin Burim të Malishevës.
Në pikën e parë të aktakuzës, ai ngarkohet për vrasjen e 34 civilëve shqiptarë më 31 mars 1999, në vendin e quajtur “Vrella e Mihillit”. Sipas prokurorisë, rreth 1 mijë civilë ishin strehuar në këtë zonë, kur forcat serbe ndanë 35 burra nga gratë dhe fëmijët dhe më pas vranë 34 prej tyre. I mbijetuari i vetëm ishte Nuredin Morina.
Aktakuza e ngarkon atë edhe për dëbimin e civilëve shqiptarë drejt Shqipërisë, si edhe për plaçkitjen dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre.
Morina akuzohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” dhe ndodhet nën masën e paraburgimit./IndeksOnline/


