IKD: Vrasja e gruas në Vitomiricë kërkon hetim të plotë të dështimeve institucionale dhe llogaridhënie konkrete

PUBLIKUAR

Instituti i Kosovës për Drejtësi shpreh tronditjen dhe shqetësimin e thellë për vrasjen e një gruaje në Vitomiricë të Pejës dhe i shpreh ngushëllime familjes së saj. Të dhënat e bëra publike deri më tani tregojnë se viktima kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe se, pak para vrasjes, ishte trajtuar nga Policia si viktimë e dhunës në familje. Këto dhe rrethanat e tjera të bëra publike deri më tash, ngrenë dyshime serioze për dështimin e shtetit në përmbushjen e detyrimit për mbrojtjen e jetës së saj.

Për IKD-në, informacionet e bëra publike përbëjnë bazë serioze për të vlerësuar se institucionet e kanë ditur ose është dashur ta dinë për rrezikun ndaj viktimës, i cili kërkonte vlerësim të menjëhershëm dhe masa efektive mbrojtëse. Hetimi duhet të përcaktojë çfarë informacioni kishte secili institucion, si ishte vlerësuar rreziku për jetën e saj dhe nëse ishin ndërmarrë të gjitha masat e arsyeshme brenda kompetencave ligjore për parandalimin e rrezikut. Vlerësimi i rrezikut në rastet e dhunës në familje është detyrim thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe duhet të jetë proaktiv, gjithëpërfshirës dhe i dokumentuar. Ky proces duhet të merr parasysh historikun e dhunës, kërcënimet, përshkallëzimin e sjelljeve të dhunshme, rrethanat familjare dhe mundësinë e rrezikut nga persona të tjerë të përfshirë.

IKD kërkon hetim të menjëhershëm, të plotë, të pavarur dhe efektiv për vrasjen, si dhe për veprimet apo mosveprimet e të gjithë akterëve institucionalë që kanë trajtuar rastin. Hetimi duhet të përfshijë, sipas rolit dhe kompetencave përkatëse, Policinë, Prokurorinë, Gjykatën, Qendrën për Punë Sociale, mekanizmat për mbrojtjen e viktimave dhe çdo institucion tjetër të përfshirë.

Pretendimet për lëshime të zyrtarëve përgjegjës duhet të shqyrtohen nga mekanizmat kompetentë, duke garantuar paanshmëri, profesionalizëm dhe shmangie të konfliktit të interesit. IKD kërkon që, për çdo shkelje të konstatuar, të ndërmerren masa konkrete për përgjegjësi penale, disiplinore dhe administrative, sipas kushteve ligjore, përfshirë shqyrtimin e përgjegjësisë mbikëqyrëse. Njëkohësisht, publiku duhet të informohet për gjetjet dhe masat e ndërmarra, duke mbrojtur integritetin e hetimit dhe privatësinë e familjes. Llogaridhënia duhet të identifikojë shkeljet, përgjegjësitë dhe pasojat përkatëse.

Ky rast e bën edhe më urgjente nevojën për institucione me integritet, profesionalizëm dhe llogaridhënie. IKD kërkon qeveria dhe kuvendi i Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë në fillimin e procesit të miratimit të amendamentit kushtetues lidhur me procesin e Vettingut në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, miratimin e legjislacionit përkatës lidhur me Vettingun dhe hartimin e një plani me afate të qarta, përgjegjësi institucionale dhe veprime të matshme për të përfunduar këtë proces. Procesi duhet të respektojë Kushtetutën, standardet evropiane dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Pritja e vettingut nuk mund të shërbejë si arsye për mosfunksionimin e mekanizmave ekzistues të llogaridhënies dhe as të shtyjë kërkimin e përgjegjësisë në këtë rast.

Njëkohësisht, Qeveria dhe institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë masa konkrete për mbrojtjen e grave, përmes vlerësimit dhe menaxhimit efektiv të rrezikut, shkëmbimit në kohë të informacionit, zbatimit të masave mbrojtëse dhe qasjes në strehim të sigurt e shërbime mbështetëse. IKD kërkon nga Ministria e Drejtësisë që të iniciojë një shqyrtim, të bazuar në të dhëna, të dispozitave penale dhe të praktikës së zbatimit të tyre lidhur me vrasjet e grave për motive gjinore dhe vrasjet në kontekstin e dhunës në familje. Ky shqyrtim duhet të vlerësojë nevojën për njohjen e shprehur të femicidit në legjislacionin penal, qartësinë e cilësimit juridik, trajtimin e motivit gjinor dhe të historikut të dhunës, si dhe përshtatshmërinë e politikës ndëshkimore.

Në fund, duke e kuptuar dhimbjen dhe momentet e vështira nëpër të cilat po kalon familja e së ndjerës, IKD i inkurajon familjarët që, kur ta ndiejnë veten të gatshëm, të shqyrtojnë mundësinë e kërkimit të përgjegjësisë së shtetit për cenimin e mundshëm të së drejtës kushtetuese në jetë. Kërkimi i kësaj përgjegjësie do t’i shërbente drejtësisë për të ndjerën dhe mbrojtjes së grave të tjera që mund të përballen me të njëjtin rrezik. Në këtë përpjekje, IKD, përmes Qendrës për Ndihmë Juridike Falas, shpreh gatishmërinë për t’i ofruar familjes këshillim dhe përfaqësim juridik falas, apo për ta mbështetur pro bono avokatin e angazhuar nga familja.

 

SHIKO MË SHUMË

Presidentja Shiroka-Pula priti në një takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, priti sot në një takim kreun e...

Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë (Video)

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar gjatë mbledhjes së Kryesisë se...

6 raste të dhunës në familje brenda 24-orëve të fundit, disa të arrestuar

Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh ka bërë të ditur se në...