Kuvendi i Komunës së Lipjanit, në vazhdimin e mbledhjes së rregullt të mbajtur sot, ka miratuar Buxhetin për periudhën 2027–2029, me 16 vota për dhe 12 vota kundër.
Mbledhja u zhvillua nën udhëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit z. Daut Azemi, ndërsa në seancë ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti, së bashku me përfaqësues të tjerë të ekzekutivit, njofton Komuna e Lipjanit.
Gjatë seancës Drejtori për Buxhet dhe Financa z. Latif Ramadani, prezantoi propozim-vendimin mbi aprovimin e Buxhetit për vitet 2027–2029, i cili pas diskutimeve nga anëtarët e Kuvendit u hodh në votim dhe u miratua me shumicë të thjeshtë, duke krijuar bazën financiare për planifikimin dhe zbatimin e projekteve zhvillimore, ofrimin e shërbimeve publike dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjeteve komunale në vitet në vijim.
Ndërsa Kryetari i Komunës z. Imri Ahmeti, prezantoi para të pranishmëve raportin gjashtëmujor Janar-Qershor të punës së Zyrës së Kryetarit dhe Drejtorive Komunale, duke paraqitur të dhënat dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe, si dhe punën e realizuar në kuadër të përgjegjësive të institucioneve, njofton Komuna.
Gjatë punimeve të kësaj seance u miratuan këto pika të rendit të ditës:
•Aprovimi i ekstraktit nga mbledhja e 8-të e Kuvendit.
•Propozim Vendim mbi aprovimin e Buxhetit për vitet 2027-2029.
•Propozim Vendim për ndarjen e mjeteve financiare për Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve – Strehimoren në mbrojtje të viktimave të dhunës familjare dhe atyre të dhunës gjinore.
•Propozim Vendim për ndarjen e mjeteve financiare për Strehimoren “Shtëpia e Sigurt” Gjakovë.
•Propozim Vendim për caktimin e veprimeve të përkohshme për trajtimin e objektit të mbyllur shkollor SHFMU “Dy Dëshmorët”, paralelja e ndarë fizike në Dobrajë të Vogël.
•Raporti gjashtëmujor Janar – Qershor i punës së Zyrës së Kryetarit dhe Drejtorive Komunale.
•Raporti i Performancës së Komunës së Lipjanit për vitin 2025.
•Raporti i dëgjimeve buxhetore për planifikimin e projekt-buxhetit për vitet 2027-2029.
•Propozim vendim për anulimin e vendimit nr. 15-020/04-29370, i datës 30.06.2026, për përcaktimin e kompensimit të anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në ndërmarrjen publike lokale “Pastrimi”.


