Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se çështja e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë nuk është lidhur asnjëherë me zhvillimet e brendshme politike apo me zgjedhjen e presidentit.
Kurti tha se të dyja çështjet janë të interesit shtetëror, ndërsa theksoi se për katër të dënuarit në shkallën e parë beson në korrigjim përmes apelit dhe në një strategji shtetërore për këtë proces.
Ai u shpreh se, përveç çështjes së Hagës, Kosova aktualisht përballet me një pengesë të menjëhershme, zgjedhjen e presidentit.
“Moszgjedhja e presidentit na çon direkt në zgjedhje, por na pamundëson të merremi me strategjinë shtetërore e kombëtare dhe apelin ”, tha Kurti.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit është emergjente, në mënyrë që të hiqet presioni mbi shtetin dhe vëmendja të përqendrohet te mbrojtja e luftës së UÇK-së në procesin gjyqësor.
Kurti përmendi edhe rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët janë dënuar në shkallë të parë.
“Thaci, Veseli, Krasniqi e Selimi janë dënuar në shkallë të parë, ndërkohë sonte në mbrëmje mund të shkojmë në zgjedhje sikur s’ka ndodhur asgjë ”, deklaroi ai.
Kurti tha se çështja e Hagës është në horizont, ndërsa zgjedhja e presidentit është çështja që, sipas tij, duhet të trajtohet menjëherë për të shmangur shkuarjen në zgjedhje.
“Gjëja e parë duhet heqja e pengesave imediate që i kemi sot, tani, këtu dhe të gjithë, e kjo është çështja e presidentit. Gjykata Speciale është temë në horizontin tonë përpara. Sot e sonte e kemi çështjen e presidentit që mund të na çojë në zgjedhje të paarsyeshme, të panevojshme e të kushtueshme ”, tha ai.


