Me afro dy orë vonesë, ka nisur seanca në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësuesit e partive politike u dakorduan të premten që sot të propozohet për miratim një deklaratë e përbashkët lidhur me aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha më herët se u harmonizua deklarata që pritet të miratohet.
“E kemi tekstin e harmonizuar dhe pres një përkrahje të plotë nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për këtë deklaratë”, tha ai.
Hamza tha se në tekstin e deklratës kanë kontribuar të gjitha subjektet politike.
Në seancën e sotme është në rend dite edhe betimi i deputetëve të rinj, shumë prej të cileve do të zënë vendet e atyre që u përfshinë në poste qeveritare.
Sot pritet të bëhet edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, si dhe formimi i komisioneve parlamentare.


